• |
ide | kryesore

Tornado shkatërruese në Kentucky, autoritetet: Mbi 100 viktima

-Instant, Lajme, Planet



Bilanci i viktimave nga tornadot e fuqishme që shkatërruan qyteza të tëra në Kentucky të Shteteve të Bashkuara, pritet t’i kalojë 100, ndërsa shpresa për gjetjen e të mbijetuarave zbehet me kalimin e orëve.

Guvernatori Andy Beshear e cilësoi këtë si ngjarjen më të rëndë të tornadove në histori, me të paktën 80 vdekje të konfirmuara.

“Asgjë që gjendej në rrugën e tornadove nuk ka mbetur në këmbë. Shpresojmë në një mrekulli, për gjetjen e të mbijetuarve, por frika është se bilanci do të rritet”, deklaroi guvernatori.

Presidenti Joe Biden shpalli gjendjen e katastrofës madhore dhe urdhëroi lëvrimin e ndihmave federale për zonat më të goditura. Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në rrënoja për gjetjen e mbijetuarve ndërsa grupe të tjera shpërndanë ujë dhe gjeneratorë për banorët.

Më shumë se 300 anëtarë të Gardës Kombëtare po shkojnë derë më derë për pastrimin e mbeturinave.

Mijëra njerëz kanë humbur shtëpitë edhe pse numri i saktë nuk është ende i qartë. Një prej tornadoeve mbolli shkatërrim përgjatë të gjithë itinerarit të përshkuar prej 365 km, duke tejkaluar rekordin e tornados së vitit 1925 në Misuri, që i mori jetën 695 personave.

Mayfield ishte qyteza më e goditur, ku u shënuan dhjetëra viktima përfshirë punonjës të një fabrike qirinjsh.

Të paktën 50 tornado goditën 8 shtete Arkansas, Illinois, Indiana, Kentucky, Missouri, Mississippi, Ohio dhe Tennessee. Evente të tilla jashtë sezonit të pranverës dhe verës, janë ekstremisht të rralla.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *