• |
ide | kryesore

FOTO/ Qeveria kërcënoi, tifozët kthejnë dhunën në Francë: ndërpritet Paris FC-Lion

-Instant, Sport



Episode të reja dhune kanë tronditur futbollin francez. Ndeshja e vlefshme për Kupën e Francës, ndërmjet Paris FC dhe Olympique Lyon, u ndërpre pas incidenteve në tribuna gjatë pushimit pas pjesës së parë, kur rezultati ishte në barazim 1-1. Tifozët e Lionit kanë hedhur objekte dhe bomba tymuese ndaj tifozëve vendas, në sektorin e veçantë, duke pushtuar edhe fushën. Pas një pezullimi prej 50 minutash, u mor vendimi për të mos e përfunduar ndeshjen.

E kjo erdhi vetëm dy ditë, pasi qeveria e Parisit pas një takimi me drejtuesit e futbollit francez, si pasojë e valës së dhunës në stadiume, e cila kulmoi me invazionin e fushës në Nice-Marseille, që solli edhe agresion ndaj lojtarëve, kërcënoi se një ndeshje e Ligue 1 ose Ligue 2 do të ndërpritet përgjithmonë nëse një lojtar ose arbitër lëndohet nga një objekt i hedhur nga tribunat. Në rast incidentesh dhe përleshjesh në stadium, një njësi krizash – e cila nuk përfshin presidentët e klubeve të interesuar – duhet të vendosë brenda 30 minutave nëse do të vazhdojë ose jo ndeshjen.

Në samit morën pjesë ministrat Gerald Darmanin (I brendshëm), Roxana Maracineanu (Sport) dhe Eric Dupond-Moretti (Drejtësisë), presidentët e ligës së futbollit (Lfp), Vincent Labrune dhe i federatës së futbollit (Fff), Noel le Graet, përfaqësues të arbitrave, klubeve franceze dhe prefektë të shumtë. Qeveria ka njoftuar se në stadiume do të ndalohen shitja dhe sjellja e shisheve plastike nga 1 korriku 2022. Më 21 nëntor, Lyon-Marseille e Ligue 1 u shty pasi kapiteni i Marsejës Dimitri Payet u godit në kokë nga një shishe plastike me ujë, e hedhur nga shkallët e stadiumit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *