• |
ide | kryesore

Video/ Debutim ëndërrash i 17 vjeçarit, pika e parë e muajit për Shkëmbin: “Komplimente shumë Simonit”

-Instant, F1, Sport, Video



“Komplimente shumë Simonit. Ne si klub e dinim që ai në portë ndoshta do të kishte dashur të luante më shpesh apo më herët. Por kur ke tre portierë të mirë, secili duhet të presë shansin e tij. Në këtë moment ishte i Simonit, si Bakaj shfrytëzoi shansin e tij kur u dëmtua Harizaj. Më vjen mirë që një 17 vjeçar bën shumë mirë në portë e nuk ndjeu presionin e ekipit në këto momente, kur ne për të qenë të sinqertë e ndjejmë mungesën e rezultatit”. Bledi Shkëmbi nuk i ndal elozhet për adoleshentin debutues, që ndali furinë e Vllaznisë me siguri e personalitet. E tregoi në pjesën e parë, kur Imami, me pasimin e gabuar në minutën e 27 e vuri në provë të vështirë. Megjithatë, puna e vërtetë për Simonin nisi në pjesën e dytë, sepse drejt 17 vjecarit erdhën gjithnjë e më shpesh shkodranët, me portierin që u detyrua të ndalë Aralicën në një dalje me kokë jashtë zonës, por në të 76 Simoni bëri ndërhyrjen e tij më vendimtare, duke ndalur goditjen me kokë të Aralicës, nga fare pranë e duke mbajtur në lojë një Dinamo, dukshëm në vështirësi: “Ndoshta ne duhet të jemi shumë më të duruar me të rinjtë, më e mira do të ishte të ecte paralel rezultati dhe përmirësimi i të rinjve. Për fat të mirë klubi nuk e ka humbur në asnjë moment besimin te këta të rinj, jemi mbështetës të tyre dhe do të vazhdojmë ta bëjmë”.

Shkëmbi pastaj u ndal edhe te merkato me janarin që është tashmë pak ditë larg. Forma e dobët e Dinamos, mbrojtja e dytë më e keqe e kampionatit dhe sulmi që ka performuar me vetëm një gol më shumë se dy skuadrat e zonës së rënies nga kategoria, mund të gjejë kurim në transfertat dimërore: “Personalisht mendoj se merkato mund të na ndihmojë në ndonjë repart, por duhet thënë se kemi raste e nuk godasim portën. Ndoshta edhe raste të pastra, por cilësia, qetësia para portës dhe presioni që kemi në këto momente për të shënuar e fituar ndeshje, nuk po na lejon ta bëjmë mirë këtë pjesë”, përfundoi tekniku dinamovit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *