• |
ide | kryesore

11 milionë euro garanci, gjykata liron nga burgu ish-shefin e Shërbimit Sekret në Maqedoninë e Veriut

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ish-drejtori i DSK-së në Maqedoninë e Veriut, Sasho Mijallkov, ka dalë nga paraburgimi. Gjykata e Apelit ka pranuar garancinë financiare prej 11 milion euro, duke i ndryshuar masën e sigurisë nga paraburgim në detyrim paraqitje.

Mijallkovit i është marrë edhe pasaporta dhe i është shqiptuar masë për të mos pasur të drejtë të kërkojë dokument të ri.

Ndaj vendimit të Apelit është ankuar Prokuroria e Lartë, por vendimi i trupit gjykues nuk ndryshoi masën e sigurisë ndaj Mijallkov dhe i njëjti për momentin si masë kujdesi për të mos u arratisur ka vetëm paraqitjen e obligueshme, pasaportën e konfiskuar dhe garancinë financiare.

Masë tjetër si observimi, përcjellja apo sigurimi nuk është shqiptuar.

Ky vendim i gjykatës së shkallës së dytë ka nxitur reagimin e ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiç, i cili ka kërkuar nga gjykatësit e lëndës të shpjegohen para opinionit se ku e bazojnë një vendim të tillë.

“Vendimi i Gjykatës së Apelit për ta liruar Sasho Mijallkovin nga paraburgimi e ulë besimin e cenuar të qytetarëve në gjykata. Mijallkov ishte person me rrezik potencial për arratisje, ndërkohë edhe arsyeja e zhvillimeve nga të cilat u shqetësua opinioni. Gjykatësit Gjoko Ristov dhe Enver Bexheti duhet t’i japin llogari opinionit se në çfarë bazë kanë sjell një vendim të tillë dhe në cilën formë do ta marrin përgjegjësinë në rast se Mijallkov arratiset”, tha Bojan Mariçiq, Ministër i Drejtësisë.

Masa e paraburgimit ndaj Mijallkov ishte caktuar për rastin “Thesari” për të cilin është dënuar me 8 vite burg dhe ndodhet në procedurë ankimimi.

Në të njëjtën kohë Mijallkov është i dënuar me 12 vite burg edhe për rastin “Target-Fortesa”, i akuzuar për rastin “Parcelat në Vodno”, “Titanik 2”, i dyshuar në rastin “Perandoria”, ndërsa për rastin “Tortura” është liruar nga vepra penale.

Kjo është hera e dytë që Mijallkov ofron garanci financiare për të ndryshuar masën e kujdesit pas asaj në fillim të vitit kur ofroi 10.8 milion euro, garanci të cilën e kishte pranuar Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion, por e kishte hedh poshtë Gjykata Penale. Mijallkov në burgun hetues të Shutkës ndodhej nga 26 shkurti.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *