• |
ide | kryesore

KPA çeli shqyrtimin gjyqësor për ankimin e gjyqtarit Markelian Kuqo ndaj KLGJ-së

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Pas mbi 40 pyetjeve nga gjyqtari Markelian Kuqo, për ILD dhe KLGJ, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shtyu për në mars seancën për shqyrtimin e masës disiplinore që Këshilli i Lartë Gjyqësor ka dhënë ndaj këtij gjyqtari.

Nga Vladimir Karaj

Në një seancë maratonë që bashkë me ndërprerjet zgjati rreth 8 orë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të çelë shqyrtimin gjyqësor për ankimin e gjyqtarit Markelian Kuqo, ndaj vendimit të Këshillit të Lart Gjyqësor për shkarkimin e tij për shkelje të rënda disiplinore.

Seanca u zhvillua të martën në prani të 6 anëtarëve të KPA, me kryetare Albana Shtylla, relatore Ina Rama dhe anëtar Rezarta Schuetz, Natasha Mulajn, Sokol Çomo dhe Mimoza Tasi. Shtylla njoftoi se Ardian Hajdari, nuk do ishte i pranishëm për shkak të vendimit për pezullimin e tij.

Gjyqtari Markelian Kuqo u shkarkua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, një vit më parë. Gjyqtari i Korçës u shkarkua pasi sipas KLGJ kishte bërë shkelje të rënda dhe cënuar besimin te drejtësia në vendimin për lirimin me kusht “të dënuarit me burgim të përjetshëm Gerd Gjenerari, i gjetur fajtor për një vrasje të kryer në vitin 1997”.

Seanca u fokusua fillimisht te pretendimet procedurale të gjyqtarit Kuqo. Magjistrati këmbënguli në seancë se Kolegji nuk ishte gjykata kompetente dhe kërkoi që dosja e tij të referohej pas në Gjykatën Kushtetuese.

Siç doli nga fjala e magjistratit ky i fundit kishte marrë ndërkohë një vendim në Gjykatën Kushtetuese e cila kishte refuzuar kalimin e çështjes në seancë publike, me arsyetimin se kompetenca ishte e KPA.

Të pyetur në seancë përfaqësuesit e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe ai i Këshillit të Lartë Gjyqësorë, palë të interesuar në proces, këmbëngulën se pretendimi nuk qëndronte dhe se Kolegji ishte gjykata kompetente.

Këtë vendosi edhe KPA pasi u tërhoq në dhomë këshillimi. Kolegji arsyetoi se kërkesa e Kuqos nuk qëndronte dhe njoftoi fillimin e procedimit. Por në këtë pikë Kuqo kërkoi kohë shtesë për parashtrime të reja. Ai këmbënguli se do u jepte parashtrimeve “një këndvështrim të ri”, pasi KPA vendosi të rrëzonte kërkesën e tij për të shpallur moskompetencë.

Por Kolegji i tërhequr sërish për këtë kërkesë të re vendosi ta rrëzonte atë dhe ftoi Kuqon të mbante parashtrimet. Në shenjë revolte gjyqtari refuzoi. Ai tha se në këtë mënyrë po i hiqej e drejta për mbrojtje, por shtroi se u qëndronte parashtrimeve me shkrim.

Pas këtij refuzimi përfaqësuesi i KLGJ-së dhe dy përfaqësueset e ILD-së lexuan parashtrimet ndër të cilat arsyetuan se vendimi i shkarkimit duhej lënë në fuqi. Ata iu referuan kryesisht vendimit të Gjykatës së Apelit Korçë që rrëzoi vendimin e Kuqos për lirimin e Gjenerarit.

Sipas përfaqësuesve të dy institucioneve gjyqtari kishte referuar “fakte dhe rrethana të rreme”, kishte qenë emocional në vendim, nuk kishte verifikuar faktet dhe kishte shkelur ligjin duke miratuar lirimin e Gjenerarit pavarësisht se ai nuk plotësonte kushtet për lirim me kusht. Përfaqësuesit e KLGJ dhe ILD evidentuan ndër të tjera disa momente që nuk lejonin lirimin e Gjenerarit.

Përfaqësuesit kundërshtuan edhe pretendimet e gjyqtarit mbi shkelje procedurale dhe këmbëngulën se atij i ishte dhënë mundësia të njihej me dosjen dhe të bënte kundërshtimet siç i kishte menduar.

Pasi mori fjalën pas këtyre parashtrime Kuqo bëri një listë të gjatë me pyetje për secilin nga institucionet. Duke mbërthyer dhe zbërthyer herë pas here kopsën e xhaketës dhe duke ulur herë pas here syzet për t’i parë ndërsa mbanin shënim, ai i kërkoi detaje mbi “veprimet dhe mos veprimet”, që kishte kryer, detaje mbi procedurën e ndjekur dhe kërkoi arsyetim se përse cilësohej i ligjshëm vendimi i Apelit që e linte Gjenerarin në burg dhe jo vendimi i tij.

Pas listës së pyetjeve KLGJ dhe ILD kërkuan kohë për përgjigje. KPA vendosi që seanca e rradhës të mbahej në 11 mars në orën 10.00.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *