• |
ide | kryesore

“Beteja” për kreun, Laçi sfidon Tiranën me Guindon: luhen 90 minutat më të rëndësishme të Superiores

-Instant, Sport



Laci rikuperon një pjesë të cmuar, pikërisht përpara ndeshjes më të rëndësishme të sezonit, të paktën deri tani. Kundër Tiranës, tekniku Mirel Josa do të ketë në dispozicion edhe golashënuesin më të mirë të kampionatit me 11 gola, Saliu Guindo. Qendërsulmuesi mungoi në përplasjen me Kukësin, të fituar 3-0 me gol edhe të zëvendësuesit të tij Adeleke, por është tashmë gati për të udhëhequr ofensivën bardhezi në sfidën-titull, duke i dhënë kështu jetë edhe një beteje personale me Seferin, me të cilin ndan vendin e parë të golashënuesve.

Guindo është stërvitur me ngarkesë të plotë dhe pavarësisht se në kampin kurbinas kanë dashur ta mbajnë jashtë vëmendjes dhe informacioneve, ai do të zbresë nga minuta e parë në fushë i mbështetur nga Mazrekaj, titullar i padiskutueshëm dhe një mes Adeleke e Zylfiut, të dy në gol ndeshjen e fundit. Dilema mes të dyve është pikërisht sepse Zarubica, që mungon prej javësh, pavarësisht se ndihet shumë më mirë, nuk është ende në dispozicion të teknikut, edhe pse shpresohej që kundër bardhebluve të ishte të paktën në pankinë. Stafi mjekësor po bën të pamundurën për ta rikuperuar lojtarin, por edhe nëse malazezi nuk ia del nuk do të jetë një humbje që do ta gjejë të papërgatitur Josën.

Me Dajsinani mes shtyllave e katërshen e mbrojtjes që ruajtën rrjetën të paprekur në sfidën me Kukësin: Roganovic, Velkoski, Velija e Malota, edhe në mesfushë tekniku pak gjëra mund të ndryshojë. Shehu e Deliu janë të sigurtë me një mes Ujkës e Zikos, me këtë të fundit favorit edhe në aspektin e bezdisjes së Totres në depërtime. Laci nuk humbet që nga 27 nëntori 2021 përballë Vllaznisë, 1-0, në “Loro Boriçi”, pas së cilës bardhezinjtë kanë barazuar dy ndeshje e kanë fituar 10, duke ardhur -3 nga kreu.

STATISTIKAT I JAPIN TË DREJTË TIRANËS

Diskutojnë titullin, kryesojnë klasifikimin e ndahen nga vetëm tre pikë. Praktikisht Tirana e Laçi luajnë për vendin e parë të Superiores kur dy formacionet të zbresin të shtunën në fushën e Arenës Kombëtare. Vijnë ndoshta një nga moment ndryshe, Tirana e mundur në Kamëz nga Kastrioti i vendit të fundit e bardhezinjtë nga një 3-0 shkatërruese kundër Kukësit të vendit të tretë. Por në lojë, në këtë pikë nuk mund të mungojnë precedentët, sepse historia është e rëndësishme, për të krijuar idenë e një trendi, por në 90 minutat e ndeshjes natyrisht që nuk do të ketë peshë tjetër, përvec se asaj që ka emri i kundërshtarit.

Në 41 përballje mes tyre, Tirana ka marrë më të mirën me 19 fitore kundër 13 të kurbinasve, që janë edhe më larg në cështje golash. Bardheblutë kanë tundur 41 herë rrjetën e Laçit, duke pësuar festën e tyre në 29 raste. Me llogari të bëra, barazimet janë 9, një rezultat që nuk është se spikat në përplasjet mes dy skuadrave që tregojnë qartë egoizmin për fitoren. Herën e fundit që kurbinasit kanë fituar ndaj kryesuesve të kampionatit është 14 dhjetori i kaluar kur me golin e Lushkjas u imponuan 1-0, por nuk është e largët edhe koha kur triumfonin në kryeqytet, në 17 maj 2021 po 0-1, në një fushë që duan të përsëriten në ndeshjen më të rëndësishme e ku ndoshta në favor kanë të vetmen statistikë që mund të thotë dicka: vijnë të pamundur në kryeqytet prej 13 ndeshjesh. Një tregues që Shehi e të tijtë duhet ta kenë mirë parasysh.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *