• |
ide | kryesore

Lufta Rusi – Ukrainë/ 10 ngjarjet që shënjuan ditën e 7-të të konfliktit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Po mbyllet dita e 7-të e sulmit rus në Ukrainë dhe zhvillimet kanë qenë të shumta. Lapsi.al sjell më poshtë në mënyrë të përmbledhur ato zhvillime që shënuan këtë ditë.

1. Kryeqyteti ukrainas, Kiev, është vënë nën granatime edhe më të rënda, ndërsa forcat ruse po rritin ofensivën e tyre dhe po afrojnë forcat drejt kryeqytetit në një përpjekje të dukshme për ta rrethuar atë.

2. Parashutistët rusë zbarkuan në qytetin e dytë të Ukrainës, Kharkiv, pas disa ditësh bombardimesh duke vrarë ose plagosur dhjetëra civilë. 4 persona të tjerë vdiqën të mërkurën, thanë autoritetet lokale, duke shtuar se qyteti ishte ende nën kontrollin e tyre.

3. Autoritetet në qytetin jugor të rëndësishëm strategjik të Khersonit në Detin e Zi kanë mohuar pretendimet e Rusisë se forcat e saj e kanë pushtuar atë që do të ishte qyteti i tyre i parë i madh i pushtimit, duke thënë se vetëm porti dhe stacioni i trenit kanë rënë.

4. Qyteti port i Mariupolit me rëndësi strategjike në Detin Azov është gjithashtu i rrethuar nga trupat ruse. “Ne nuk mund t’i marrim as të plagosurit nga rrugët, nga banesat, pasi granatimet nuk ndalen,” tha kryetari i tij.

5. Më shumë se 350 civilë ukrainas janë vrarë dhe më shumë se 2000 janë plagosur, sipas shërbimit të urgjencës të Ukrainës. Qindra struktura duke përfshirë objekte transporti, spitale, kopshte dhe shtëpi janë shkatërruar.

6. Ukraina pretendoi se rreth 7 mijë trupa ruse janë vrarë në 6 ditët e para të pushtimit.

7. Ministria ruse e mbrojtjes tha se 498 ushtarë rusë kishin vdekur në Ukrainë që nga fillimi i fushatës së saj. Kjo ishte deklarata e saj e parë për viktimat.

8. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me shumicë dërrmuese për të dënuar pushtimin e Rusisë në Ukrainë dhe bëri thirrje për tërheqjen e menjëhershme të forcave të saj. Për rezolutën votuan 141 nga 193 shtete anëtare, 35 abstenuan dhe 5 (Rusia, Bjellorusia, Siria, Koreja e Veriut dhe Eritrea) votuan kundër.

9. Një raund i dytë bisedimesh thuhet se do të fillojë të enjten. Një negociator rus tha se një armëpushim është në rendin e ditës, por Ukraina ka thënë se kërkesat e Moskës janë të papranueshme dhe Rusia duhet të ndalojë bombardimin e qyteteve të Ukrainës përpara se të pritet ndonjë përparim.

10. Policia në Poloni paralajmëroi se lajme të rreme për krime të dhunshme të kryera nga njerëz që ikin nga Ukraina po qarkullojnë në rrjetet sociale. Ajo mohoi që nacionalistë polakë sulmuan dhe abuzuan ndaj grupeve të njerëzve afrikanë, aziatiko-jugorë dhe të Lindjes së Mesme që kishin kaluar kufirin.

Kaq për momentin! ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *