• |
ide | kryesore

Liverpool “injoron” rivalët, Henderson nuk i sheh ndeshjet e City: “Preferoj kanalet për fëmijë”

-Instant, Sport, Video



Pas James Milner, edhe Jordan Henderson rrëfen se nuk i ndjek ndeshjet e Manchester City. Liverpool, pasi fitoi me përmbysje ndaj Southampton falë golave të Takumi Minamino dhe Joel Matip, është tashmë një pikë prapa Citizens, të cilët kryesojnë renditjen. Kështu, gara për titull në Premier League do të vendoset në javën e fundit. Liverpool do të luajë kundër Wolverhampton, ndërsa City do të duhet të përballet me Aston Villan.

Një rivalitet i pabesueshëm, siç ka rrëfyer edhe kapiteni i Reds për Sky Sports pas ndeshjes: “Është gjithmonë e vështirë, City nuk duket se humb kurrë pikë. Ata janë një ekip fantastik”. Henderson, megjithatë, siç kishte bërë edhe Milner më parë, rrëfeu se nuk i ndjek ndeshjet e rivalëve të tij.
I pyetur nga Jamie Carragher nëse ai apo ndonjë nga shokët e tij të skuadrës te Liverpool, sheh skuadrën e Pep Guardiolës, ai u përgjigj me ironi: “Normalisht jo. E di që disa djem e bëjnë këtë herë pas here, dhe në shtëpi ndoshta e bëjnë, por mënyra se si luajnë nuk është kurrë e këndshme për t’u parë. Preferoj kanalet për fëmijë apo diçka tjetër, ndoshta është diçka më e mirë për t’u parë”. Kapiteni i Reds, me fjalët e tij, shkaktoi të qeshurat e të pranishmëve.

Nuk është hera e parë që Liverpool dhe City gjenden në këtë situatë. Kjo ka ndodhur edhe në sezonin 2018/19. Skuadra e Guardiolës fitoi në Brighton dhe mori kampionatin me 98 pikë. Edhe Liverpool kishte fituar në Anfield kundër Wolverhampton, por kjo nuk ishte e mjaftueshme, duke e përfunduar sezonin me 97 pikë.

Henderson shpreson se do të jetë ndryshe këtë herë: “E kemi patur këtë problem edhe më parë kur ata luajtën në transfertë kundër Brighton. Mund të mësojmë nga ajo përvojë dhe të përqendrohemi në atë që duhet të bëjmë dhe të shpresojmë që Stevie dhe Aston Villa mund të na bëjnë një nder”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *