Kreu i ri i shtetit ende nuk ka një emër. Kjo pasi edhe raundi i dytë për zgjedhjen e pasuesit të Ilir Metës është djegur, duke mos patur asnjë kandidaturë. Ndonëse në mes javë palët u dakordësuan për t’i lënë opozitës te drejtën për të propozuar në dy raunde emrat për presidentin, marrëveshja nuk shkoi si duhet pasi Enkelejd Alibeaj akuzoi socialistët për prishje të saj. Ndërkohë nga Fieri, kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla u shpreh se PD u tërhoq nga marrëveshja e arritur në konferencën e kryetarëve.
Nga ana tjetër Alibeaj thotë se PS u tërhoq nga dokumenti i PD, me të cilin sipas tyre vetë Balla ra dakord përpara kamerave. Sipas tij, PS u tërhoq nga pakti pasi pa emrat e kandidatëve për president të cilët nuk mund ti ‘joshte’.
Kujtojmë se për zgjedhjen e presidentit të vendit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime (raunde). Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave (84 vota) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.