• |
ide | kryesore

“Isha shumë më i mirë”: Vieira refuzoi të prekte me dorë fanellën e Keane, ekzaltohet tifozët e Arsenal

-Instant, Sport



Patrick Vieira dhe Roy Keane, një rivalitet i pafund. Francezi gjatë një interviste, refuzoi të prekte një fanellë të kundërshtarit historik të Manchester United dhe më pas pohoi se ishte më i mirë se irlandezi. Ish-mesfushori i Arsenalit, tani menaxher i Crystal Palace, mori pjesë në “What I Wore” të BT Sport dhe riktheu në memorie karrierën e tij duke prekur të gjitha fanellat që kishte veshur në aventurën e tij të lojës. Gjatë intervistës atij iu treguan edhe disa fanella të vjetra të kundërshtarëve, por mes tyre ishte edhe një fanellë që francezi thjesht nuk mundi ta prekte.

Ndër fanellat e shumta të shfaqura para Vieira, ishte edhe ajo e Roy Keane, një fanellë blu e Manchester United ajo e dyta e sezonit 1999-2000. E njëjta fanellë e veshur nga irlandezi kur dy ish-lojtarët dhe rivalët u përplasën në një ndeshje në gusht të vitit 1999. Francezi, i cili kishte marrë në duar dhe prekur shumë nga fanellat që i ishin dhënë gjatë intervistës, sapo kishte parë se ishte ajo e Keane futi duart në xhepa.

Vieira më pas shpjegoi me shaka: “Kjo është arsyeja pse i futa duart në xhepa. Nuk dua ta prek me dorë atë fanellë”. Më pas trajneri foli për rivalitetin e tij me irlandezin: “Që në ndeshjen e parë e kuptova menjëherë se çdo ndeshje do të ishte një luftë. Më pëlqente mënyra se si ai sillej në fushë. Kam respekt të jashtëzakonshëm. Ai ishte një lider, ai që udhëhiqte ekipin dhe lojtarët për të konkurruar në atë nivel, duke sfiduar lojtarët. E admiroja atë si kapiten dhe sigurisht e dija se do të ishte një nga betejat për tu fituar në fushë”.

I pyetur nëse ishte më i mirë se Keane, Vieira buzëqeshi por nuk kishte dyshime: “Shumë më i mirë. Do të thosha shumë më i mirë, po. Ata ishin skuadra për të mundur, skuadra më e mirë. Nëse doje të fitoje kampionatin, duhej të ishe mbi United. Ky ishte pasioni, konkurrenca. Nuk dua të përdor fjalën urrejtje, por ishte dashuri dhe urrejtje”.

Tifozët e Arsenalit e vlerësuan shumë intervistën dhe gjestin e Vieira dhe lanë komentet e tyre në rrjetet sociale. Shumë theksuan se nuk ka më rivalitete si ai mes francezit dhe Keane: “Një nga rivalitetet më të mëdha mes dy lojtarëve. Thotë shumë për të dy. Kapitenët më të mirë, lojtarët më të mirë”, shkruan dikush. Dhe një tjetër shton: “Rivaliteti më i madh! Kur futbolli ishte ende futboll pa qaravitje dhe hedhje”. Vieira, i cili veshi fanellën e Arsenalit nga viti 1996 deri në 2005, bëri 307 paraqitje në Premier League dhe fitoi tre tituj kampion dhe katër FA Cup.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *