• |
ide | kryesore

“Klinikisht e vdekur”, Barcelona habit Nagelsmann: “I vetmi klub që s’ka para, por blen lojtarët që do”

-Instant, Sport



Julian Nagelsmann, pas transferimit të Robert Lewandowski shënjestron Barcelonën. Siç dihet, klubi katalanas ka një situatë katastrofike financiare. Flitet për një borxh monstruoz prej 1.3 miliardë eurosh, aq sa zv/presidenti blaugrana e përkufizoi shoqërinë si “klinikisht të vdekur”. Pavarësisht borxheve, megjithatë, klubi është shumë aktiv në merkato dhe sipas trajnerit gjerman blen të gjithë lojtarët që dëshiron. Një detaj që 34-vjeçari thjesht nuk arrin ta kuptojë dhe ta përtypë.

Në orët e fundit, Barcelona ka konfirmuar transferimin e Robert Lewandowskit. Një marrëveshje me vlerë 45 milionë euro plus 5 bonuse. Blaugranat arritën ta marrin polakun në Camp Nou, pavarësisht problemeve financiare. E kur Julian Nagelsmann u pyet për të, menaxheri i Bayern vuri në dukje pikërisht faktin se është absurde: “Është i vetmi klub në botë që nuk ka para, por më pas blen të gjithë lojtarët që do. Nuk e di si e bëjnë. Është pak e çuditshme, pak e çmendur”.

Barcelona, aktualisht, nuk ka arritur ende të regjistrojë Franck Kessié dhe Andreas Christensen, dy lojtarë të mbërritur me parametër zero përkatësisht nga Milani dhe Chelsea. Mendohej se klubi do të shiste disa lojtarë për të arkëtuar para. Frenkie de Jong dhe Ousmane Dembélé u renditën si dy lojtarë të mundshëm në dalje. Holandezi pëlqehet nga Manchester United, i cili tashmë ka bërë disa oferta. Ish-mesfushori i Ajax, megjithatë, dëshiron të qëndrojë në Barcelonë. Francezi, nga ana tjetër, tashmë ka nënshkruar një rinovim deri në vitin 2024. Prandaj Blaugranat, për momentin, blejnë por nuk shesin.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *