• |
ide | kryesore

Penallti me VAR, Skuka mposht Laçin: Partizani i vetmi me pikë të plota në Superiore

-Instant, F1, Sport



Fitore edhe kundër Laçit dhe Partizani është tani skuadra e vetme me pikë të plota pas dy javëve të para të kampionatit. Të kuqtë kanë fituar sfidën direkte me Laçin, falë një goli me penallti të Xhuliano Skukës, por skuadra e Colellas ka qenë dukshëm superiore ndaj kurbinasve. Vukicevic kishte bërë disa lëvizje në krahasim me ndeshjen e parë, ende të paqarta për arsyet, por ndoshta vuan tani pasojat e zgjedhjeve të tij, sidomos lënien e Ujkës në pankinë, duke e lënë skuadrën pa shkatërrues në fushë.

Të kuqtë kanë dominuar ndeshjen ndaj kurbinasve, duke frikësuar dy herë në harkun e 60 sekondave mes të 16’ dhe 17′ me Hotin, që tentoi me një goditje direkte nga e majta e grushtuar nga Dajsinani dhe Rrapajn goditja e të cilit kaloi ngjitur me shtyllën. Laçi u përgjigj me Mazrekajn, që në minutën e 27’ detyroi Rexhepin të grushtoje me vështirësi duke shpëtuar portën. Për ta vendosur këtë takim u desh një penallti e akorduar me VAR në fund të pjesës së parë, të cilën e transformoi Skuka: kundërsulm i shpejtë i Partizanit me Skukën në krahun e djathtë që pengohet nga Mazrekaj, arbitri Shahini vazhdoi lojën por u thirr nga VAR që e bëri të ndryshojë vendimin.

Edhe në pjesën e dytë historia nuk rezultoi shumë ndryshe, me Partizanin që shpërdoroi disa mundësi shumë të mira për të dyfishuar rezultatin. Laçi vuajti shumë presionin e kundërshtarit dhe tregoi mungesë kreativiteti. Rrapaj në minutën e 47’ detyroi Dajsinanin të bënte një ndërhyrje të shkëlqyer, ndërsa në të 59’ konkluzioni i Skukës kaloi gjithë vijën e portës pa përfunduar brenda për fatin e Dajsinanit. Portieri duhet të falenderojë shtyllën që në minutën e 77’ e shpëtoi nga kapitullimi në goditjen e Hotit, që dribloi mbrojtësin e u shfaq i vetëm përballë tij.

6 pikë në dy ndeshje. Aspak keq për Colellan, nëse sheh që të gjithë të tjerër kanë lënë pikë. Pas të kuqve, në vendin e dytë, të tretë e të katërt, ndodhen respektivisht Bylis, Tirana dhe Erzeni, me nga katër pikë secila.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *