• |
ide | kryesore

U kap duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm, arrestohet 59-vjeçari nga Durrësi

Lajme, Të fundit



Finalizohet operacioni policor i koduar “Tranzit 14”, ndërsa në prangat e policisë ka rënë 1 shtetas që u kap në flagrancë duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm, të cilët janë proceduar penalisht.

Po ashtu janë sekuestruar një automjet, dy aparate celulare dhe 1500 € të dyshuara të përftuara nga ky aktivitet kriminal.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vorë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune hetimore disajavore, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas transportonte emigrantë, nga kufiri me Greqinë në drejtim të veriut të Shqipërisë, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “Tranzit 14”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. A., 59 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Vorë, duke transportuar me një automjet, 14 emigrantë, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar transportimin nga kufiri grek në drejtim të veriut të Shqipërisë, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 14 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *