• |
ide | kryesore

‘Allegriout’, thirrja e tifozëve merr përgjigjen e Juventus: “Bashkë”

-Instant, Sport



Allegriout, hashtagu ishte i pashmangshëm të mos shfaqej në rrjetet sociale. Në fakt, Juventus dhe trajneri Allegri janë pushtuar nga kritikat pas humbjes ndaj Benfikës, që komprometon rrugën në Champions League. E megjithatë, klubi bëhet një me teknikun përmes një postimi në Twitter (“Bashkë”). Një tentativë për të mbajtur të bashkuar të gjithë ambjentin, e tronditur nga ky fillim sezoni. Gjatë ditës ka pasur një përballje (të detyrueshme) mes drejtuesve dhe zonës teknike. Mbledhja ka qenë me tone të ndezura, por konstruktive. Shqetësuese është forca fizike e skuadrës, e cila pas 20′ pushon së luajturi. Nuk mbetet pas edhe ana mentale, me pamundësinë për të reaguar dhe përballuar presionin. Drejtuesit nuk e fshehën habinë për protestën e ashpër të tifozëve me hashtagun # Allegriout. Në këtë pikë, ndeshja kundër Monzës të dielën bëhet një udhëkryq themelor. Duhet një reagim dhe tani e tutje të gjithë janë në provë.

Momenti është vërtet delikat, me ekipin që nuk funksionon. Bardhezinjtë tashmë kanë mbetur prapa në kampionat dhe me një këmbë jashtë Champions. Në mbledhje ishin të gjithë, nga Agnelli te Nedved, duke kaluar te Cherubini dhe Arrivabene. Një përballje e pashmangshme nisur nga problemet e shumta të skuadrës. Allegri ka patur vështirësi edhe për shkak të dëmtimeve të shumta. Sidoqoftë te Juventus nuk e kanë alibi këtë gjë. Ka shumë kohë për të rikuperuar, por vetëm me kusht që të ndërrohet sjellja. Duke nisur nga Monza, një ndeshje që ka të gjitha tiparet e shansit të fundit klasik.

SKUADRA NË STËRVITJE NË CONTINASSA

Pas humbjes së rëndë në Champions League kundër Benficas, Juventus iu rikthye menjëherë stërvitjeve në Continassa. Kalendari kërkon që të mendohet menjëherë për ndeshjen e radhës. Bardhezinjtë do të luajnë pasditen e së dielës në Monza. Skuadra e Max Allegrit është mbledhur në Continassa mëngjesin e sotëm. Shkrythje si gjithmonë për ata që luajtën mbrëmë. Për pjesën tjetër të grupit ushtrime teknike për zhvillimin e manovrës në gjysmën kundërshtare të fushës, punë teknike e ndeshje kontrolli. Me grupin ka punuar gjithashtu edhe Wojciech Szczesny.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *