• |
ide | kryesore

Shqipëria nuk ka akses në terapitë e reja inovative

-Instant, Lajme, Të fundit

Si një vend ku varfëria është e pranishme në 30% të popullsisë dhe buxheti publik ka kapacitete të kufizuara për shëndetësinë, pacientët shqiptarë vuajnë nga mungesa të thella të terapive inovative. Ato do të mund të shpëtonin mijëra jetë, sidomos nga zbulimi dhe trajtimi në kohë i neoplazmave.


Nga viti 2017 deri në 2020, Bashkimi Europian ka miratuar rreth 160 barna të reja që trajtojnë sëmundje të ndryshme. Por në Shqipëri, gjatë së njëjtës periudhë janë përfshirë vetëm 5 prej tyre në listat e rimbursimit.


Një studim i fundit i IQVIA gjeti se Shqipëria ka praninë më të ulët të medikamenteve të reja. Ajo shënon një diferencë shumë të madhe me fqinjët si Maqedonia e Veriut, Serbia. Këto shtete kanë miratuar përkatësisht 11 dhe 17 medikamente të reja secila.

Burimet nga Shoqata e Farmacistëve të Shqipërisë thanë se, mungesa në tregun e medikamenteve të reja lidhet me fondet e ulëta buxhetore për rimbursimin e tyre. Zakonisht këto medikamente janë të kushtueshme dhe shtetet i përfshijnë në listën e rimbursimit. Kompanitë nuk janë të interesuara t’i sjellin këto barna në treg, nëse nuk janë të përfshira në rimbursim. Në të gjithë botën, shpërndarja e tyre te pacientët mbulohet nga buxheti publik.

Studimi i IQVIA tregon se nga 160 medikamentet e reja që u miratuan për përdorim, 74 prej tyre, ose rreth 46%, janë në dispozicion të pacientëve në BE. Ndërkohë në Shqipëri, vetëm 3% e tyre në dispozicion.

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore evidentoi se që nga viti 2017 deri në vitin 2020 ka dhënë Autorizim për Tregtimin në Republikën e Shqipërisë, për rreth 194 barna antitumorale. Këtu përfshihen edhe 10 barna “Orphan”, nëpërmjet Procedurës së Përshpejtuar, 30 ditë nga data e aplikimit.

Rimbursimi i ilaçeve

Por Shoqata e Farmacistëve të Shqipërisë shpjegoi se regjistrimi i produkteve farmaceutike nuk do të thotë se mund të gjenden në treg. Kostoja e mujore e një medikamenti të ri i kalon 500 euro në muaj. Aftësia për ta blerë atë në treg të lirë është vetëm për pacientë që numërohen me gishtat e dorës. Ata që kanë nevojë për mjekimin janë mijëra persona.

“Bari bëhet i përdorshëm, kur ai përfshihet në listën e rimbursimit. Shqipëria e ka fondin e rimbursimit të medikamenteve vetëm 100 milionë dollarë në muaj. Vendet e rajonit dhe Europës, deri në 10-fish më të lartë”, sqaroi shoqata.

Më tej, shoqata shpjegoi se, përdorimi i barnave të reja për pacientët shqiptarë mundësohet nga lista e rimbursimit. Kjo e fundit administrohet nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore (FSDKSH). Por FSDKSH nuk iu përgjigj interesit në lidhje me strukturën e buxhetit të sigurimeve shëndetësore dhe përfshirjen në listë të terapive të reja.

Për shkak se tregu i ilaçeve të kushtueshme lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me listën e rimbursimit, kompanitë e mëdha të farmaceutikës janë duke rishikuar pozicionin e tyre në Shqipëri, me perspektivë mbylljen e filialeve. Fondi i rimbursimit të medikamenteve këtë vit është rreth 11 miliardë lekë.

Buxheti i Fondit të Sigurimit Shëndetësor është rritur vit pas viti. Megjithatë ritmet e rritjes nuk kanë qenë të njëjta për fondin e rimbursimit të medikamenteve. Në vitin 2019, fondet për rimbursimin e barnave zinin 27% të buxhetit total të sigurimeve shëndetësore. Në vitin 2022, ato janë planifikuar të zënë vetëm 23% të buxhetit total të sigurimeve.

Buxheti i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore (FSDKSH) është rritur vit pas viti. Rritja më së shumti ka shkuar për financimin e kontratave me Partneritet Publik-Privat, si kontrolli mjekësor bazë (check-up, sterilizimi i mjeteve kirurgjikale, dializa dhe së fundmi laboratori). Në vitin 2020, shpenzimet për pagesat e koncesioneve zunë 4.6% të shpenzimeve totale të Fondit të Sigurimeve./ Monitor


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.