• |
ide | kryesore

Osmani: Drafti franko-gjerman eksizton, por ka dezinformim rreth asaj që i kërkohet Kosovës

-Instant, Lajme, Të fundit



Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka folur për qarkullimin e një drafti franko-gjerman. Ajo ka thënë se ka shumë dezinformata rreth asaj që i kërkohet Kosovës të bëjë. Duke komentuar  opinionet se pranimi i këtij draft-propozimi e kthen vendin në negociata për marrëveshje përfundimtare pas dhjetë vjetësh, Osmani tha për KosovaPress se një gjë të tillë nuk e ka propozuar askush.

“Nuk ka propozuar askush që të pritet për marrëveshje për dhjetë vjet, kështu që ka lloj insinuatash, dezinformatash lidhur me atë se çfarë po kërkojnë partnerët tanë prej nesh”, tha Osmani.

Osmani ka thënë se qëllimi i Kosovës ka qenë për marrëveshje finale me njohje në qendër të saj. Megjithatë ajo shtoi se angazhimi i Serbisë është i kundërt. Kjo pasi sipas Osmanit, Serbia po vazhdon me politikat e saja që ta destabilizojë rajonin.

“Ne e vlerësojmë rolin e partnerëve tanë për intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbi. Qëllimi i Kosovës gjithnjë ka qenë për marrëveshje finale dhe njohje në qendër, dhe ne angazhohemi në atë drejtim. Për me tepër angazhimi ynë është për paqe dhe stabilitet, ndërsa angazhimi i Serbisë është i kundërt. Andaj shpresojmë që sa më shumë të jetë e mundur partneret tanë të bëjnë presion Serbisë, shtetit që po e destabilizon rajonin tonë që ta kuptojë që paqja dhe stabiliteti është në interes te të gjithëve”, ka shtuar Osmani.

Të premten në një konferencë për media, presidentja Vjosa Osmani tha se nisma franko-gjermane ka për qëllim intensifikimin e dialogut. Kjo sipas saj nënkupton që çështjet që deri më tani janë diskutuar veç e veç, të bëhen bashkë në mënyrë që të mos zvarriten për shumë kohë. Ajo ka sqaruar se gjermanët dhe francezët planifikojnë të grupojnë disa çështje në një dokument të vetëm për të arritur një marrëveshje mbi to. Osmani ka thënë se në javët në vijim do të ketë takime me ekipet e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron. Ata do të sqarojnë në detaje synimin e tyre. Ajo ka thënë se ky është një propozim dhe se do t’iu mbetet pastaj palëve të japin qëndrimin e tyre.

Propozimi franko-gjerman

Rreth një muaj më parë dolën informacione se Franca dhe Gjermania u kanë dhënë liderëve të Kosovës dhe Serbisë një propozim se si të zgjidhet kontesti i kahershëm ndërmjet dy vendeve. Propozimi franko-gjerman nuk është bërë publik dhe nuk dihet se çfarë përmban saktësisht. Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë nuk e kanë konfirmuar ekzistimin e një dokumenti të tillë. Por, emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë hapur se ekziston propozimi franko-gjerman.

Një gjë të tillë e konfirmoi edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak. Ai tha se për këtë ka biseduar me kryeministrin Albin Kurti të shtunën në Prishtinë. Por as ai nuk ka dhënë detaje. Kjo pasi, sipas Lajçak, një gjë e tillë do ta dëmtonte procesin e bisedimeve.

Ndërsa, presidenti Aleksandar Vuçiç ka theksuar se propozimi franko-gjerman parasheh që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo do të bëhet pa e njohur pavarësinë e saj. Ndërkohë  si ‘shpërblim’ Beogradi zyrtar do të merrte përshpejtimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. /KP/



1 Comment

  1. Ke vetem nje partner strategjik moj zonje e ai eshte USA!!!Vendet e tjera kane lojtur sa u ka dashur ne kuriz te Shqiperise e Kosoves….mos e haroni kete.Zgjidhja do te vije vetem nga Amerika.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *