• |
ide | kryesore

Debati për targat, Rakiç paralajmëron bllokim të rrugëve në veri të Kosovës

-Instant, Lajme, Të fundit



Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës. Kjo nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe. Kështu tha ai pas takimit të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Beograd.

“Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”, tha Rakiç në një konferencë për media në Beograd.

Rakiç tha se presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i është thënë se nëse “Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër fillon të konfiskojë pronën, ne do të përdorim të gjitha mjetet në mënyrë demokratike dhe paqësore, për të rezistuar dhe do të jetë rezistenca e popullit”.

Targat me akronime serbe për qytetet e Kosovës konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës. Këtu përfshihen KM, PZ, PR e të ngjashme. Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës. Këto banohen me shumicë serbe.

BE dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia të shmangin tensionet. Po ashtu, Kosovës i është kërkuar që të shtyjë afatin për riregjistrim për 10 muaj.

Nga ambasada amerikane në Prishtinë, i thanë REL-it më 26 tetor, se synojnë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e të zbatohet në mënyrë paqësore, dhe të mos kontribuojë në rritje të tensioneve.

“Ne kemi kërkuar një shtyrje dhjetëmujore për zbatim të vendimit”, shkruan ambasada.

Takimi i përfaqësuesve të Listës Serbe dhe presidentit të Serbisë

Takimi mes përfaqësuesve të Listës Serbe dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, vjen pesë ditë para se të skadojë afati për riregjistrimin e makinave në Kosovë. Pas këtij takimi, Serbia do të mbajë mbledhjen e Sigurisë Kombëtare. Pas këtij takimi, Vuçiç pritet të deklarohet për mediat.

Në takimin në Beograd ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç. Ai kërkohet në Kosovë për frikësim të dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si “Brezovica”. Ky rast ka të bëjë me lëshimin e lejeve të paligjshme në qendrën turistike Brezovica në Komunën e Shtërpcës.

Që nga 1 shtatori, Kosova ka nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës. Pas 31 tetorit, Qeveria e Kosovës ka thënë se makinat me targa serbe nuk do të lejohen që të qarkullojnë në territorin e shtetit./ REL



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *