• |
ide | kryesore

Prokuroria sekuestron tokë me vlerë 1.2 milionë euro tek Uji i Ftohtë

-Instant, Lajme, Të fundit



Prokuroria e Vlorës vendosi në sekuestro preventive mbi 3996,5m2 tek Uji i Ftohtë. Territori kap vlerën e 1.2 milionë euro. Sipas prokurorisë pasuria në fjalë është në afërsi të zonës turistike ku po ndërtohet pjesa e dytë e projektit “Lungo Mare” në qytetin e Vlorës. Sipas tyre ajo është regjistruar pranë ASHK Vlorë mbi bazën e përdorimit të dokumentit të falsifikuar.

Rezulton se dokumenti i origjinës mbi bazën e të cilit personat e kallëzuar kanë fituar pronësinë mbi pasurinë e mësipërme, është “nota e transkriptimit” e datës 04/04/1942, në favor të R. D., kundër zyrës së thesarit të shtetit, ku objekt i saj është blerja prej tij e një sipërfaqe trualli prej 5 vreten, kundrejt vlerës 1200 franga ari, regjistruar në radhorin me nr. 232/4, vol. 12, neni 104, faqe 106. Nga verifikimet e kryera nga ana e kallzuesit pranë institucioneve të ndryshme si ASHK Vlorë, ka rezultuar se dokumenti i mësipërm nuk ekziston, por sipas numrit të radhorit ekziston vetëm 107 datë 14/04/1942 dhe neni 108 datë 20/05/1942.

Kallzuesi ka kërkuar fillimin e ndjekjes penale me pretendimin se dokumenti i mësipërm, mund të ishte falsifikuar nga ana e personave që kishin përfituar pasurinë e mësipërme.
Nga hetimet e kryera pas regjistrimit të këtij procedimi penal, nga analiza e të dhënave të administruara për nevoja të hetimit të këtij procedimi penal; administrimi i dokumentacionit përkatës; dëshmive që lidhen me faktin e hetuar; si dhe konkluzionet e aktit të ekspertimit teknik-grafik të kryer gjatë hetimeve, duke i vlerësuar ato në harmoni dhe unitet me njëra tjetrën, nga ana jonë si organ procedues, arrihet në konkluzionin se në rastin konkret ndodhemi përpara elementëve të veprës penale të “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, vepra penale këto të parashikuara nga neni 186/1 dhe 287 të Kodit Penal.

Rezulton e provuar, se trashëgimtarët e shtetasit G.D., konkretisht shtetasi A.D., ka falsifikuar dokumentin “NOTË TRANSKRIPTIMI” e datës 04.04.1942, në favor të R. D., kundër zyrës së thesarit të shtetit, përpiluar nga noter A. A.”, dokument i cili sipas aktit të ekspertimit tekniko-grafik me nr.12299 datë 07/10/2022 të kryer nga ana e Institutit të Policisë Shkencore Tiranë, rezultoi tërësisht i falsifikuar.

Rezultoi e provuar se dokumenti i mësipërm i falsifikuar, është përdorur në proceset administrative dhe gjyqësore, konkretisht pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave Tiranë (2013); Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë (2016); Gjykatës së Apelit Vlorë (2018) dhe ka qënë dokumenti bazë dhe kryesor që ka shërbyer për njohjen dhe kthimin e pronës dhe që ka diktuar vendimarrjen e Gjykatës lidhur me pasurinë objekt gjykimi, me sipërfaqe prej 6480m2, nga të cilat 3996m2 ka rezultuar e lirë, ndërkohë që pjesa tjetër ka rezultuar e zënë me ndërtime.

Krahas falsifikimit të këtij dokumenti, rezultoi e provuar se pas vendimeve gjyqësore që kanë vendosur njohjen dhe kthimin e pronës, pasuria është regjistruar në regjistrat e pasurive të paluajtshme pranë ASHK Vlorë, me nr.43/189/1 pasurie, zk.8602, vol.95, faqe 247, me sipërfaqe prej 3996,5m2. Më tej mbi këtë pasuri janë kryer veprime juridike me qëllim fshehjen/mbulimin e natyrës së paligjshme të pasurisë së përfituar me anë të dokumentave të falsifikuara

Në funksion të këtij procedimi penal, është kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, caktimi i masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive”, lidhur me pasurinë e mësipërme, e cila është regjistruar pranë ASHK Vlorë mbi bazën e përdorimit të dokumentit të falsifikuar.”, thuhet në njoftim.



2 Comments

  1. Bravo prokuroria Vlore.
    Me ne fund po dalin disa te guximshem atje se deri tani asnjerit nuk ja mbante te vepronte.

  2. Pse mendoni se janë fallco dokumentat??Jo or mik këta janë bijtë e baballarëve me të vetmin ndryshim se baballarët i konfiskuan për pronën socialiste bijtë i konfiskojnë për t’i marrë për vete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *