• |
ide | kryesore

Fabrikat e qumështit, në gjendje të rënduar nga rritja e kostove

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Kompanitë e përpunimit të qumështit, njëzëri kërkojnë ndryshime fiskale dhe të skemës së subvencioneve direkte për fermerët, pasi sektori po shkon drejt rënies nga shtimi i kostove. Problematikat më të mprehta, që kërkojnë zgjidhje janë rënia e prodhimit të qumështit nga shtrenjtimi i lëndëve të para dhe emigrimi i fermerëve, shtrenjtimi i energjisë, gazit të cilit, nga 1 korriku 2022 iu vendos akciza dhe heqja e skemës së TVSH-së së kreditueshme.

Sektori i përpunimit të qumështit, prej gati një viti, vijon të jetë në vështirësi nga shtimi i kostove. Prej fillimit të vitit 2022, çmimi i qumështit të lopës u shtrenjtua nga fermat e vogla dhe të mëdha me 75-100% krahasuar me vjet.

Pavarësisht çmimit të lartë, përpunimi i produktit po has vështirësi, pasi numri i fermave të vogla është tkurrur nga emigrimi dhe shtrenjtimi i lëndëve të para ushqyese për kafshët. Rënia e prodhimit ka shtrenjtuar produktet e bulmetit, ndërsa sasia e djathit të staxhionuar është në rënie krahasuar me vjet.

Fabrikave u janë shtuar kostot prodhuese edhe nga heqja e skemës për kreditimin e TVSH-së 6% që nisi zbatimin nga 1 janari 2022, vendosja e akcizës të gazit 6 lekë për litër, rritja e çmimit të energjisë, karburantit dhe materialeve ambalazhuese.

Këta faktorë kanë ndikuar që çmimet e produkteve të bulmetit, sipas të dhënave të operatorëve, të rriten 40 deri në 50% për periudhën janar-tetor krahasuar me vitin e kaluar.

Shtrenjtimi i çmimeve ka zvogëluar konsumin deri në 20% më pak se vjet, duke shtuar edhe efektin e largimeve masive të popullatës, siç pohojnë drejtuesit e fabrikave të qumështit. Nga pranvera 2023, prodhimi i qumështit nga bagëtitë e imta parashikohet të ketë një rritje 20-30%.

Kjo mund të detyrojë kompanitë të shtrenjtojnë sërish çmimet. Me rritjen e çmimeve, do të shtohet edhe presioni i prodhuesve për konkurrueshmërinë, me prani të shtuar të produkteve të gatshme nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, duke rrezikuar falimentimin e prodhuesve vendas.

Për shkak të të gjithë këtyre faktorëve, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit pohon për “Monitor” se sektori është në situatë të pafavorshme dhe rrezik real për faliment.

“Shtimi i kostove ka rënduar më tepër situatën e vështirë ku ndodhet tashmë prej muajsh sektori i përpunimit të qumështit. Vështirësitë dhe problematikat janë të mëdha, sepse fuqia blerëse ka rënë këta muaj dhe presioni i produkteve të importit rritet përditë.

Çdo ditë, produktet e importit bëhen më të pranishme në raftet e marketeve dhe supermarketeve tona.

Çmimi i qumështit nga blegtorët po shitet shumë shtrenjtë. Kostot janë shtuar edhe nga shtrenjtimi i energjisë, naftës, gazit, materialit paketues. Shqetësim mbetet edhe shtimi i informalitetit nga baxhot dhe qumështi i rrugës. Nëse nuk do të kemi ndryshim të situatës, atëherë sektori do të shkojë në një rënie pa kthim dhe zhdukje të sigurt”.

Në këtë situatë, Shoqata e Industrisë së Përpunuesve të Qumështit kërkon me emergjencë marrjen e disa masave, duke nisur me ndryshimin e skemës së subvencioneve.

Kompanitë përpunuese shtojnë edhe rikthimin e skemës së kreditueshnme të TVSH-së, ose uljen e saj në shitje, heqjen e TVSh-së tek inputet bujqësore dhe akcizës së gazit.

Pse ka rënë prodhimi i qumështit

Në total, sasia e grumbulluar e qumështit në vitin 2021 është me rënie rreth 4% krahasuar me 2020, sipas të dhënave të INSTAT. Në raport me periudhën para pandemisë, vitin 2019, tkurrja ishte 25%. Ndërsa sasia e qumështit të lopës së grumbulluar në 2021, në raport me 2020, ishte 7% më pak.

Prodhimi është në rënie edhe këtë vit. Operatorët ngrenë shqetësimin se prej një viti po përballen me mungesën e qumështit, sidomos të lopës, për shkak të emigrimit dhe shtrenjtimit të lëndëve ushqyese të kafshëve. Përveç vështirësive për gjetjen e qumështit, çmimi nga fermerët ka pasur rritje shumë të lartë. Një litër qumësht vjet ishte 38 deri në 40 lekë, aktualisht po shitet 70 dhe 80 lekë (rritja 75-100%).

Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit pohon se rënia e prodhimit të qumështit është krijuar nga rritja e kostove të blegtorëve për bazën ushqimore të kafshëve, duke sjellë që shumë prej tyre, të mos kishin mundësi për të përballuar kostot e shtuara për mbajtjen e kafshëve.

“Për fat të keq, në vendin tonë, pjesa më e madhe e ushqimeve të nevojshme për blegtorinë vijnë nga importi. Rritja e çmimeve, për shkak të krizës botërore, ka shtuar edhe kostot e ushqimeve të importuara të blegtorisë në vendin tonë.

Për këto arsye, një pjesë e blegtorëve kanë ulur numrin e krerëve që ata mbarështojnë. Të tjerë kanë shitur ose therur kafshët dhe kanë mbyllur fermat.

Një pjesë kanë mbajtur të njëjtin numër krerësh, por kanë rendiment më të ulët prodhimi nga kafshët e tyre, si pasojë e ndryshimit të formulave dhe protokollit ushqimor të kafshëve.

Të gjitha këto kanë bërë që të ulet sasia e prodhuar e qumështit të lopës, e cila ka sjellë këtë situatë në tregun aktual të qumështit.

Së fundmi, duhet të përmendim se çmimi i lartë i shitjes së qumështit nga fermerët, ka sjellë rënie të fuqisë blerëse te konsumatorët, prandaj duhet të merren masa dhe të ketë ndërhyrje, në të kundërt produkti vendas nuk do të jetë i preferuar në raport me produktet e importit nga konsumatori final në raftet e supermarketeve”./MONITOR



2 Comments

  1. Këta ja marrin 40 lekë të reja litri dhe qumështin pluhur e shesin 190 lekë litri
    Kur vjen puna te Ipardi thonë na i jepni në fondet e ipardi se duke i marrë ne përfitojnë edhe fermeret .
    Fermerët po e shesin 1.5 liter 150 lekë.
    Të gjithë janë në sulm për të tjerë hallën e fundit popullin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *