• |
ide | kryesore

Papunësia arrin në nivele rekord të ulëta në eurozonë

-Instant, Lajme, Planet



Papunësia në eurozonë arriti një nivel rekord të ulët në muajin nëntor, duke shtuar kështu presionet ndaj Bankës Qendrore Europiane për të vazhduar me rritjen e normave të interesit. Në nëntor, kishte 10.8 milionë njerëz të papunë në eurozonë, 2,000 persona më pak se në muajin e kaluar. Kjo është shifra më e ulët e papunësisë që nga fillimi i regjistrimeve të këtyre shifrave në 1998, sipas statistikave të Eurostat të publikuara të hënën.

Shkalla e papunësisë mbeti e pandryshuar nga muaji tetor, në shifrën 6.5 për qind, më e ulëta që nga fillimi i regjistrimeve të saj në vitin 1995. Tregu i punës në eurozonë po demonstron qëndrueshmëri përballë rënies ekonomike që pritet të rezultojë nga çmimet e larta të energjisë. Shumica e ekonomistëve presin që eurozona të ketë pasur një recesion të shkurtër në fund të vitit të kaluar. Tregu i kontraktuar i punës mbështet pikëpamjen se Banka Qendrore Europiane do të detyrohet të vazhdojë me rritjen e normave të interesit, teksa përpiqet të përballojë inflacionin e lartë. Tregu i kontraktuar i punës mund të nxisë akoma më tepër inflacionin, duke shtuar presionet për rritjen e pagave.

Tregjet parashikojnë një rritje prej 50 pikësh bazë të normave të interesit në mbledhjen e Bankës Qendrore Europiane më 2 shkurt.

Nëse kjo ndodh, ajo do të aplikohet mbi rritjet aktuale të normës së interesit prej 2.5 pikë përqindje në total, të cilat kanë filluar që nga qershori i vitit të kaluar. Përpara këtij momenti, normat e interesit në eurozonë ishin negative, por rritjet e tyre bënë që norma bazë e depozitave të arrijë 2 për qind në muajin dhjetor.

Ndërmjet periudhës tetor-nëntor, shkalla e papunësisë pësoi rënie në Itali, Francë dhe Spanjë me 0.1 pikë përqindjeje, duke shkuar në 7.8 për qind, 7 për qind dhe 12.4 për qind respektivisht. Ajo mbeti në nivelin e ulët prej 3 për qind në Gjermani./



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *