• |
ide | kryesore

Debati në Kuvendin e Serbisë/ Vuçiç: Nuk guxoj ta prezantoj të gjithë planin franko-gjerman

-Instant, Lajme, Të fundit



Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha gjatë seancës së posaçme të Kuvendit serb se qëllimi “i ditës së sotme nuk është që përgjegjësia të bartet në këtë institucion apo te populli”.

“Qëllimi është të dal para jush dhe qytetarëve dhe sinqerisht dhe haptazi të ndaj atë që na pret dhe çfarë po përballemi”, tha Vuçiq në Kuvend.

Më 2 shkurt, Kuvendi serb po debaton për raportin e Qeverisë në Beograd lidhur me negociatat me Kosovën.

Me të mbërritur në Kuvend, opozita serbe mbajti pankarta me fotografinë e politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq, me mbishkrimin “Do të përgjigjesh” si dhe “Vuçiq e tradhtove Kosovën”.

Seanca plenare po mbahet pasi presidenti i Serbisë ka pranuar propozimin nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Vuçiç tha se nuk guxon të tregojë të gjithë planin evropian para Parlamentit, por vetëm pjesët më të këqija për Serbinë.

“Ajo që është më e rëndësishme është se plani është korniza politike, momenti në të cilin ndodh gjithçka”, tha Vuçiq.

Presidenti serb tha se ekipit diplomatëve evropianë dhe amerikanë, me të cilët ka biseduar më 20 janar në Beograd, i ka thënë se ka rezerva të mëdha për çështjen kyçe.

“Ka edhe gjëra të mira në plan, nuk do të flas për to”, shtoi ai.

Propozimi i BE-së, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman, mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Plani nuk është bërë publik, por u është prezantuar palëve.

Në atë dokument, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje më herët, nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Por, në dokument përmendet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Lideri serb konfirmoi se 90 për qind e asaj që është bërë publike për përmbajtjen e planit është e saktë.

“Në pikën 4, në paragrafin e dytë, shkruhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, tha ai.

Vuçiq tha se politika e Serbisë do të jetë ruajtja e paqes dhe stabilitetit me çdo kusht.
“Le të përmbahemi dhe të mos përgjigjemi ndaj provokimeve nëse nuk kërcënohen jetët dhe pronat e njerëzve”, theksoi ai.

Ai përmendi edhe sigurinë për serbët në Kosovë. Vuçiç tha se Beogradi do të insistojë, siç tha ai, në formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së që nga vitit 2011. Procesi ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve përmes një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme. Kosova kërkon që kjo marrëveshje të përfshijë edhe njohjen reciproke. Serbia insiston në një zgjidhje kompromisi – pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *