• |
ide | kryesore

Ushtria serbe afër Kosovës/ O’Brien: Përdorimi i forcës, i papranueshëm!

Arkiva, Lajme, Të fundit



Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se Shtetet e Bashkuara ia kanë bërë të ditur Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm.

Ai ka thënë se një lëvizje eventuale prej forcave të Serbisë do të konsiderohej prej SHBA-së si rrezikim i forcave të NATO-s “që janë në Kosovë për t’i mbrojtur shqiptarët dhe serbët”.

Sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës.

O’Brien i ka bërë këto deklarata në një bashkëbisedim me gazetarët online.

Ai ka thënë, po ashtu, se Serbisë i është bërë e qartë që personat e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit duhet të mbahen përgjegjës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 21 mars se njësite të ushtrisë serbe janë vërejtur disa metra larg kufirit me Kosovën, dhe i ka cilësuar këto lëvizje si “provokime të qëllimshme”.

Të premten, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i ka quajtur deklaratat e Kurtit si pjesë e fushatës dezinformuese për ushtrinë e Serbisë.

Sipas saj, forcat e ushtrisë serbe janë duke i kryer detyrat e tyre në zonën e sigurt administrative, në përputhje me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara./REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *