• |
ide | kryesore

Shqiptarët shpenzojnë 400 milionë euro në vit për bare e restorante

-Instant, Lajme, Të fundit



Baret dhe restorantet kanë qenë një biznes i preferuar për shqiptarët. Megjithatë ky model është zbehur vitet e fundit për dy arsye. Së pari, pandemia në vitin 2020 goditi rëndë këtë aktivitetet. Së dyti, mungesa e fuqisë punëtore dhe rënia e konsumit si rrjedhojë e emigracionit po japin efekt më të qëndrueshëm negativ. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, për herë të parë në një dekadë shqiptarët ulën shpenzimet për bare e restorante. Kjo ishte normale për shkak të kufizimeve si rrjedhojë e pandemisë.

Në vitin 2021, shpenzimet u rikuperuan. Por ato sërish mbetën nën nivelin e pandemisë. Sipas INSTAT, qarkullimi vjetor i bareve dhe restoranteve në 2021 ishte 47.2 miliardë lekë, ose rreth 400 milionë euro. Nga të dhënat rezulton se çdo shqiptar shpenzon rreth 145 euro në vit për të

Në krahasim me 2020-n, të ardhurat e këtij aktiviteti u rritën me 17%, por ato mbetën 9% më të ulëta sesa para pandemisë. Të dhënat tregojnë se deri në vitin 2019 shpenzimet në bare e restorante ishin rritur me shpejtësi, duke kulmuar në 52 miliardë lekë (430 milionë euro) në 2019-n.

Jo vetëm shpenzimet e qytetarëve për bare e restorante janë ulur. Biznesi i bareve nuk duket më aq tërheqës. Të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i ndërmarrjeve që veprojnë në akomodimin ushqimor është ulur vazhdimisht që nga viti 2016, kur arriti në gati 19 mijë.

Ndërsa një pjesë e kësaj tendence lidhet me hapjen e zinxhirëve të mëdhenj të bareve. Po ashtu, nga viti 2019 ka rënë edhe numri i punonjësve. Në 2021-n kishte 14.7 mijë punonjës, që është numri më i ulët që nga viti 2014.

Rënia e biznesit të bareve e restoranteve ka sjellë edhe tkurrje të fitimeve. Norma e fitimit për sektorin e akomodimit ushqimor ishte 13.6% në vitin 2021, nga 25.1% në 2011-n. (shiko grafikun: Norma e fitimit, Shërbimi ushqimor).

Sipas Shoqatës së Bareve e restoranteve rënia e aktivitetit të sektorit ka vijuar dhe në 2022 e fillimin e 2023. Ajo është e lidhur me disa faktorë si frenimi i kërkesës për shkak të shtrenjtimit të çmimeve dhe sidomos nivelit të lartë të emigracionit, kryesisht të të rinjve.

Sektori vuan dhe për të gjetur fuqinë punëtore dhe së fundmi Shoqata ka deklaruar se kërkohen rreth 15 mijë punonjës.

Shoqata e Bareve dhe Restoranteve pohoi më herët për Monitor se prej 3 muajsh, për shkak të mungesës së theksuar të fuqisë punëtore shumë struktura shërbimi po kërkojnë punonjës nga Filipinet. Për kthimin në normalitet të sektorit shoqata pohon domosdoshmërinë e plotësimit të 15,000 vendeve të lira të punës./ Monitor



2 Comments

  1. Fale qeverisjes se Edi Rames, mireqenia eshte rritur.

    Statistika si kjo nuk gabojne dhe jane nje grusht ne fytyre ndaj shpifjeve te opozites.

  2. se mos do shkojne te punojne ! Vetem ne bare e restorante rrine dhe shajne qeverine se duan te behen te pasur pa punuar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *