• |
ide | kryesore

Kurti: Epopeja e Dukagjinit i dha mesazh Serbisë se nuk mposhtet UÇK-ja dhe Kosova

-Instant, Lajme, Të fundit



Në manifestimin qendror në shënim të 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit  ngjarja e 24 marsit 1998 u konsiderua si betejë e cila dëshmoi guximin e familjes Haradinaj dhe vendosmërinë e popullit për çlirim dhe mposhtjen e pushtuesit serb.

Në këtë ditë kur po shënohet edhe 24-vjetori i ndërhyrjes së NATO-së në Kosovë, bombardimet që zgjatën 78 ditë u konsideruan si akt që i dha fund pushtimit serb. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se beteja e ashpër e 24 marsit dëshmoi guximin dhe vendosmërinë e familjes Haradinaj dhe popullit për çlirim. Kurti tha se nga kulla Haradinaj Serbia mori mesazhin se nuk mposhtet UÇK-ja dhe Kosova.

Kryeministri Kurti  u shpreh se familja Haradinaj ja din vlerën lirisë dhe ushtrisë, është familje e dëshmorëve të kombit dhe gjeneralëve, ndërsa po sot në FSK kanë Luan Haradinaj që me përkushtim i shërben atdheut.

“Të dyja këto e kishin një armik Serbinë e kishin një qëllim lirinë, beteja e ashpër e 24 marsit dëshmoi guximin dhe vendosmërinë e familjes Haradinaj dhe të popullit tonë në rrugën drejt çlirimit. Nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja, nuk mposhtet Kosova, ky ishte mesazhi që Serbia fashite mori nga kulla e bacës Hilmi.të vendosur në 4 pozicione Hilmi Haradinaj së bashku me Mejremen dhe Frashërinë, Ramush Haradinaj së bashku me Bujarin, Dauti me Rasimin dhe Kujtimin dhe Shkelzeni me Enverin mbajtën në këmbë kullën, mbajtën në këmbë popullin”, tha Kurti.

Në këtë ditë kur po shënohet edhe 24 vjetori i bombardimeve të NATO-së shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti tha se ndërhyrja e NATO-së i dha fund pushtimit serb dhe qytetarëve të Kosovës iu dhanë shpresë.

Ndërsa, theksoi se fokusi i qeverisë së tij është forcimi i ushtrisë së Kosovës e cila  po konsolidohet në aspektin profesional e operacional gjithmonë në shërbim të lirisë dhe sigurisë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se 24 marsin 1998 e njohin si ditë të fitores e cila theu mitin e forcave serbe. Ish komandanti i zonës së Dukagjinit u shpreh se Kosova e ka vendin në NATO e cila 1 vit pas betejës së Dukagjinit i ndihmoi fitores për liri të popullit të Kosovës.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se 24 marsi është dita që bënë krenar gjithë kombin. Ai tha se 25 vite më parë populli shqiptar triumfoi ndaj pushtuesit dhe u dha një shpresë për të gjithë.

Në emër të Shoqatave të dala nga lufta e zonës operative të Dukagjinit,  dhe ish eprori i lartë i Brigadës 137 Gjakova, Hekuran Hoda  tha se Epopeja e Dukagjinit shënon kthesë historike në luftën për liri dhe çlirim të vendit.

I pranishëm në këtë tubim për shënimin e 25 vjetorit të Epopesë së Dukagjinit ishte edhe kryetari i Lezhës, Pjerin Ndreu i cili tha se kjo ngjarje konfirmoi se shqiptarët nuk e kursyen gjakun për atdhe dhe liri. Në këtë manifestim nuk mungoi as imazhi i ish-krerëve të UÇK-së që po qëndrojnë të paraburgosur në Hagë, pasi që fotografit e tyre u shfaqen qysh në fillim të kësaj akademie përkujtimore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ai Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kanë bërë edhe homazhe tek kompleksi memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ndërsa kanë vizituar edhe familjen Haradinaj.

Më 24 mars 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale mes forcave të UÇK-së dhe atyre të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj/KP



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *