• |
ide | kryesore

Video/ Kastrioti mposht 2-1 Laçin e kthehet të shpresojë: Babatunde i anulohet goli në shtesë, vendos Ajazi në të 96′

-Instant, F1, Sport, Video
Kastrioti



Kastrioti kthehet të shpresojë për një mbijetesë in-extremis, duke i dhënë vetes motiv për fazën e fundit të Superiores. Krutanët kanë mundur Laçin 2-1 në një ndeshje dramatike, ku drithërimat i kishte ruajtur të gjitha për në fund. Në Kamëz, skuadra e Çelës ia doli të marrë tre pikët në javën e 27 të Superiores falë golit të vonë të Ajazit. Sulmuesi vendosir ndeshjen në minutën e 96′.

Në 9 ndeshjet e fundit, mes kampionatit e Kupës, vetëm një fitore për të besuarit e Mezanit. E kuptueshme dëshira për të bërë rezultat, sidomos pas fitores 3-0 me Vllaznisë. Por vazhdimësia dhe kurbinasit kishin rrugë të ndryshme, edhe pse bardhezinjtë provuan të bëjnë rezultat. Një pjesë e parë që foli më shumë për Laçin, që provoi më shumë, pa mundur të gjente golin. Kastrioti në anën tjetër, vuri agonizmin në fushë, me luftën për topin e parë që karakterizon skuadrën e Çelës.

E dy minuta pas rifillimit u duk se strategjia e teknikut të Kastriotit ishte ajo e duhura. Mihana kaloi në avantazh krutanët, duke goditur saktë me kokë, në krosimin e Rami. Reagimi i miqve erdhi në minutën e 71′, kur Guindo mori përsipër të tijtë. Sulmuesi përfitoi nga gabimi i Rami, për të rivendosur ekuilibrin. Dy skuadrat kërkuan golin e fitores, por pa rrezikuar pothuaj asgjë. Ajazi në fushë në 10 minutat e fundit, bashkë me Mehmetin, tregoi dëshirën e Çelës për të bërë rezultat.

SHTESA DRAMATIKE

Por në fund të kohës së rregullt u duk se Laçi mund të kthehej në shtëpi me 3 pikë fondamentale. Babatunde shënoi, pas një topit të larguar keq nga Karakaçi, por festa e nigerianit u ngri nga thirrja e VAR. Një prekje me dorë e Spahiut e bëri të pavlefshëm golin, duke dëshpëruar bardhezinjtë.

Më e keqja sidoqoftë nuk kishte ardhur ende, sepse në minutën e 6 shtesë Kastrioti fitoi ndeshjen. Ajazi kërceu mbi të gjithë, duke mposhtur me kokë Selmanin. Një gol vendimtar i sulmuesit, që i jep shpresë Kastriotit për fazën e fundit të kampionatit. Edhe pse të fundit tani krutanët kanë 27 pikë, duke iu afruar -6 pikërisht Laçit në zonën playout.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *