• |
ide | kryesore

Fisi Lestakaj: E vërteta e përplasjes sonë me Ardian Nikulajn

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Lestakaj



Pista e hakmarrjes është një nga pistat që është në duart e hetuesve që po hetojnë vrasjen e biznesmenit në Lezhë, Ardian Nikulaj. Në emisionin “Review” në Euronews Albania u analizua konflikti 26-vjeçar mes familjeve Nikulaj dhe Lestakaj më qytetin e Lezhës. 

Në një reagim, për Euronews Albania, Elton dhe Klodian Lestakaj, të cilët 7-vite më parë akuzonin Ardian Nikulaj dhe Arben Nikulajn për vrasjen e dy familjarëve të tyre, thanë se nuk kanë lidhje me vrasjen e biznesmenit këtë javë në Lezhë. Ata thanë se janë të gatshëm të dëshmnojnë në Shqipëri për dosjen e manipuluar ndaj familjarëve të tyre.

“Nuk kemi çfarë themi më shumë nga ajo çka kemi kërkuar 7 vite më parë, aq më tepër që s’duam të ngjallim emocione negative në këtë rast të freskët. Edhe pse ngjarja ka ndodhur e nuk kemi përgjegjësi, ne sërish do kërkojmë shetim të ngjarjes deri në fund. Nëse shteti shqiptar na garanton jetën me status dëshmitarësh, ne vijmë e përballemi në gjykata. S’kemi dashur kurrë gjak, as nuk duam, duam drejtësi në dosje. Nëse shteti shqiptar na thërrret për hetim ne vijmë menjëherë”, deklaruan ata.

Ndërsa Nertila Haxhia, vajza e dajës së Elton Lestakaj, personit që akuzonte Ardian Nikulaj dhe Arben Nikulajn për vrasjen e familjarëve të tyre, ka rrëfyer ofertën që i ndjeri ikulaj i ka bërë për t’u ulur në tavolinë.

Ajo tha se pasi e bëri publik 7-vite më parë rastin në media, një mik i përbashkët, i kërkoi që të ulej në takim me zotin Ardian Nikulaj. Ajo tha se nuk e pranoi takimin dhe shtoi se do të ulej në takim vetëm përballë institucioneve në prokurori.

“Nëse do të ketë nevojë prokuroria po e deklaroj këtu, jam e gatshme të vete t’ia jap emrat. Unë jam kontaktuar nga një mik i zotit Nikulaj që unë dhe zoti Nikulaj të uleshim në një tryezë bisedimi,. Ky takim mes meje dhe mikut të zotit Nikulaj, ka ndodhur diku tek Kullat Binjake aty në kat të dytë, mbaj mend dhe tavolinën, janë dhe kamerat e lokalit. Mbaj mend që më ka thënë që zoti Nikulaj do të ulet me ty në tavolinë pas emsionit që dola në media.

Unë isha 25-vjeçe atëherë dhe i thashë shprehimisht me cilën cilësi do të më takojë zoti Nikulaj, pasi unë nuk jam pjesë e familjes Lestakaj, jam mbesa. Ia thashë këtë që të isha e informuar që çfarë t’u thosha familjarëve. I thashë mikut që unë komunikojë me të vetëm përballë prokurorisë. Unë isha i vetmi person që kisha të gjitha dosjet dhe ia referoja avokatëve në Britani që të bindeshin për gjakmarrjen, pasi djemtë mund të ktheheshin në Shqipëri”, tha ajo.

Ajo shtoi se dosja është manipuluar dhe dëshmia e familjarëve të Lestakaj, ku akuzonin Ardian dhe Arben Nikulaj për vrasjen e dyfishtë nuk është hetuar siç duhet.

“Më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia ndaj familjes Nikulaj për humbjen e familjarit të tyre. Unë e shikoj së pari vrasjen e një qytetari. Jam e ftuar si e afërmja e disa qyetarëve, as e një politikani  apo eksponenti politik. Ne nuk kemi patur frikë. Dua të sqaroj pozicionin tim në këtë dosje.

Unë jam vajza e dajës e Elton Lekstakaj dhe nuk kam lidhje me fisin Lestakaj. Ne jemi të qetë sepse nuk kemi përgjegjësi dhe nuk kemi diçka për të cilën shqetësohemi, në momentin që jemi të pastër dhe heqim përgjegjësinë nga kjo ngjarje. Ne na shqetëson vetëm ajo ngjarje, ajo dosje, ku janë vrarë të afërmit tanë”, – tha ajo.

Elton Lestakaj, është dëshmitari okular që denoncoi se Ardian Nikulaj dhe Arben Nikulaj i vranë xhaxhain Gëzim Lestakaj dhe nipin e tij Laurenin.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *