• |
ide | kryesore

Koalicioni “Bashkë Fitojmë”: Drejtori i HEC-it në Fierzë dhe djali i tij dhunuan katër aktivistët e PD në Fushë Arrëz

Arkiva



Një tjetër incident elektoral është shënuar gjatë ditës së djeshme në zonën e Pukës. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka publikuar mbrëmjen e djeshme disa foto të aktivistëve të Partisë Demokratike në Fushë Arrëz të cilët kanë rënë pre e dhunës.

Në një deklaratë për mediat ditën e djeshme, koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ ka denoncuar se “një bandë e armatosur me në krye Drejtorin e HEC-it Fierzë, kriminelin elektoral Vasil Muslija me të birin dhe shtetasin Zamir Sadiku, kanë ushtruar dhunë me armë kundër katër aktivistëve të Partisë Demokratike”. Sipas deklaratës së koalicionit, përfaqësues të PS-së së Pukës, pasi i kanë ndaluar në rrugë makinën ku ishin Besmir Nika, Bledar Nika, Ndue Deda dhe Ridvan Kuka, veprimtarë të opozitës, i kanë qëlluar me qyta armësh pistoletë.

Ndërkohë që lidhur me ngjarjen ka reaguar dhe policia.

Njoftimi i policisë për ngjarjen:

Policia ka marrë njoftim se në aksin rrugor rural Miliska-Dardhë, në vendin e quajtur “Lumi i Mziut”, kishte ndodhur një konflikt mes disa shtetasve. Nga deklarimi i dhënë nga shtetasi B. N., (i dëmtuar), dyshohet se:

Shtetasi V. M., së bashku me djalin e tij, shtetasin R. M., dhe shtetasin S. S., banues në fshatin Fierzë, gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, shtetasin B. N.

Shtetasi B. N., si pasojë e konfliktit është dëmtuar lehtë, dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër, ka dhënë deklarim në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Pukë, autorët e dyshuar, shtetasit V. M., R. M., dhe S. S., dhe nën drejtimin e Prokurorisë po kryhen veprime procedurale. Vijojnë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Veriu i vendit mbetet një zonë e nxehtë sa i takon përplasjeve me natyrë politike. Pak ditë përpara nisjes së fushatës elektorale, një sasi tritoli u vendos në makinën e kreut të PD-së në Vaun e Dejës Bernard Ndreca.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *