Drejtuesi i listës së kandidatëve për këshillin bashkiak Tiranë, Ilir Alimehmeti, ka reaguar lidhur me problemet në procesin e votimit, incidentet dhe përplasjet. Ai ka deklaruar se nëpër qendrat e votimit ka patur prezencë të punonjësve të bashkisë, parregulli dhe vonesa 2-3 orëshe për shkak të problemeve të hasura me pajisjet elektronike. Alimehmeti shprehet se këto parregullsi janë të qëllimshme për të ndaluar qytetarët të votojnë.
DEKLARATA E PLOTË:
Përshëndetje!
Të nderuar qytetarë të Tiranës, sot është një nga ditët më të rëndësishme për qytetet tona. Sot vendoset e ardhmja jonë, e ardhmja e qytetit tonë, e ardhmja e familjeve tona.
Ka patur përpjekje, ka patur prezencë të punonjësve të bashkisë nëpër qendrat e votimeve, parregullsi, vonesa 2-3 orëshe për shkak të mosfunksionimit nëpër qendra të votimit të pajisjeve të identifikimit elektronik.
Të gjitha këto kërkojnë vetëm një gjë, që njerëzit të pengohen, të mos dalin, e të mos votojnë.
Gjë tjetër nuk mund të bëjnë. E për këtë arsye, përgjigja juaj ndaj tyre është vetëm një: të dilni masivisht e të votoni. Përgjigja juaj është që; e ardhmja e familjes tuaj, jo në dorën e tyre. E ardhmja e qytetit është në dorën tuaj dhe jo në dorën e tyre.
Dilni, votoni, masivisht. Kjo është një ditë e bukur. Me pjesëmarrjen tuaj do të përfundojë ashtu siç duhet.