• |
ide | kryesore

Analiza/ Ç’po ndodh me zgjedhjet në Greqi dhe pse Brukseli është i shqetësuar

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Zgjedhjet



Grekët do të hedhin votat e tyre më 21 maj në një nga proceset zgjedhore kombëtare më të paparashikueshme në vite. Formimi i qeverisë së re mbetet i pasigurt ndërsa politikanët kryesorë vijojnë të grinden mbi besueshmërinë e sondazheve që favorizojnë konservatorët në pushtet. Zgjedhjet do të mbahen sipas ligjit të ri zgjedhor, duke aplikuar një sistem proporcional në raundin e parë. Analistët vlerësojnë se një parti që kërkon të qeverisë e vetme do të duhet të marrë të paktën 46% të votave të përgjithshme, gjë që është mjaft e vështirë.

Partia më e votuar do të duhet të negociojë me të tjerët për të formuar një qeveri koalicioni, diçka disi e pazakontë në politikën greke. 3 partitë kryesore në garë janë partia në pushtet “Demokracia e Re”, partia kryesore opozitare e majtë Syriza dhe socialistët e PASOK. Demokracia e Re preferon një qeverisje njëpartiake ndërsa Syriza ka sqaruar se synon një “koalicion progresiv” me socialistët.

Pasok, nga ana e tyre, pritet të luajnë rolin e “kingmaker”, por krerët e kësaj force nuk janë shprehur qartë për koalicionet edhe pse programi i tyre elektoral është shumë më afër atij të Syrizës. Demokracia e Re dhe Syriza konsiderohen dy të kundërta ideologjike dhe çdo bashkëpunim mes tyre është i përjashtuar.

Nëse negociatat për një qeveri koalicioni dështojnë, një raund i dytë do të mbahet në korrik, ku një partie ose një koalicioni partive do t’i nevojitet pothuajse 37% të votave për të formuar një qeveri. Në varësi të performancës së saj, partia e parë do të marrë disa mandate “bonus” në parlament të atyre forcave që nuk e kalojnë pragun.

Debati i nxehtë për sondazhet

Demokracia e Re e kryeministrit Kiriakos Mitsotakis deri më tani ka udhëhequr të gjitha sondazhet e publikuara në mediat kombëtare. Sipas EuropeElects, që ka hartuar mesataren e sondazheve kombëtare, Demokracia e Re mund të marrë 36.6% të votave në raundin e parë, e ndjekur nga Syriza me 29.5% dhe Pasok me 10.3%.


Syriza ka bërë thirrje së fundmi për më shumë transparencë të anketuesve, duke u kërkuar atyre të publikojnë të dhënat e sondazheve të tyre. Një propozim i tillë u refuzua si nga Demokracia e Re si dhe nga Shoqata e kompanive të anketimit.

“Mos shikoni sondazhet”, – u tha së fundmi mbështetësve të tij kreu i Syriza, Alexis Tsipras gjatë një fjalimi në Selanik. Zëdhënësi i qeverisë Akis Skertsos tha se vënia në dyshim e sondazheve është një taktikë e humbësit. Syriza këmbëngul se nuk është e mundur që partia në pushtet të shohë mbështetjen ndaj saj në rritje, veçanërisht vetëm disa javë pas një aksidenti hekurudhor vdekjeprurës që u mori jetën 57 njerëzve dhe zemëroi kombin.

Nuk është hera e parë që në Greqi vihet në diskutim çështja e sondazheve. Për shembull, të gjitha sondazhet dështuan masivisht në projektimin e rezultatit të referendumit të vitit 2015 në Greqi dhe nuk kanë arritur të parashikojnë me saktësi relative performancën elektorale të Syrizës në disa zgjedhje të njëpasnjëshme.

Disa analistë sugjerojnë se problemi mund të jetë strukturor, duke pasur parasysh se metodologjia e sondazheve e ndjekur në Greqi fokusohet kryesisht në telefonat fiks dhe për pasojë kompanitë nuk arrijnë të identifikojnë votuesit më të rinj dhe më progresivë.

“Sondazhi i Sondazheve”

Në të njëjtën kohë, kompanitë shumëkombëshe që operojnë në bursën e Athinës kryejnë sondazhet e tyre me metodologjinë tradicionale dhe më të kushtueshme të votimit, pra duke plotësuar personalisht një pyetësor. Ata përdorin gjithashtu algoritme speciale për të analizuar rezultatet e publikuara të kompanive të tjera të sondazheve, duke marrë parasysh devijimet që kanë treguar në periudhat e mëparshme zgjedhore dhe duke u caktuar koeficientin përkatës të saktësisë.

EURACTIV siguroi një prej këtyre sondazheve, i cili iu dorëzua të premten e kaluar drejtuesve të nivelit C të kompanisë që e porositi, por edhe aktorëve me ndikim evropian. Vlerësimet ndryshojnë ndjeshëm nga sondazhet e publikuara, duke treguar një garë kokë e kokë mes Demokracisë së Re dhe Syrizës. Megjithatë, parashikimet tregojnë qartë se ka pak shanse për secilën nga të dyja partitë për të formuar një qeveri koalicioni me partinë e vendit të tretë pas raundit të parë.

Sipas këtij sondazhi, Demokracia e Re vlerësohet të marrë 1 890 000 vota, e ndjekur nga Syriza me 1 860 000 vota dhe Pasok me 510 000 vota. Norma e abstenimit korrespondon me zgjedhjet e mëparshme kombëtare greke të mbajtura në korrik 2019.

Greqia është një nga vendet e BE-së me abstenim të lartë (42% në 2019), por është e vështirë të vlerësohet se deri në çfarë mase kjo përqindje korrespondon me realitetin pasi listat zgjedhore përditësohen rrallë. Megjithatë, vlerësohet se një reduktim i mundshëm i abstenimit është në interes të Syrizës pasi shumica e abstenuesve janë zakonisht qytetarë më të rinj.

Sipas një sondazhi të kryer nga Instituti “Eteron” rreth 430 mijë votues të rinj grekë do të luajnë një rol vendimtar në zgjedhjet e ardhshme. Qeveria konservatore u është përgjigjur negativisht thirrjeve të të gjitha partive opozitare që të rinjtë që do të jenë larg zonës së tyre elektorale, të punësuar në punë sezonale, të marrin pjesë në zgjedhje.

Qëndrimi i Brukselit

Ndërkohë, zyrtarët e BE-së kanë përqafuar qasjen “të presim të shohim”, por janë të sigurt se një qeveri do të formohet që pas raundit të parë. EURACTIV mësoi se për shkak të pasigurisë mbi rezultatin e zgjedhjeve greke dhe mundësisë për të pasur një qeveri teknike, Komisioni Evropian dëshiron të përshpejtojë miratimin e një pakete të re sanksionesh të BE-së kundër Moskës që këtë javë përpara zgjedhjeve të Greqisë.

Sipas burimeve të brendshme, Athina, e prirur për të mbrojtur industrinë e saj fitimprurëse të transportit, ka shfaqur rezerva mbi sanksionet e propozuara në lidhje me transportin dhe çdo diskutim i mëtejshëm mund të vonojë ndjeshëm miratimin e paketës së re. “Prandaj, është thelbësore të arrihet një kompromis këtë javë”, – tha një diplomat i BE për EURACTIV. ©Përshtati në shqip LAPSI.al



1 Comment

  1. Pas qeverisjes nga Siriza dhe Demokracia e re, ShBA dhe BE janë në mbështetje të PASOK-ut, i cili duket i treti në zgjedhje, por jo të SIRIZE-s, për shkak të raporteve të mira që pati me Moskën. Duket se ky është shqetësimi.

    Kohët kanë ndryshuar dhe lufta Rusi-Ukrainë solli një konjukturë politike më atllantiste, pra sa më larg Rusisë, edhe për Europën Perëndimore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *