• |
ide | kryesore

Hynë me makinë në oborrin e shkollës dhe kundërshtuan me dhunë policinë, arrestohen 2 persona

Lajme, Të fundit



Dy persona kanë rënë në prangat e policisë në Berat. Ata hynë në oborrin e një shkolle publike dhe kundërshtuan me dhunë punonjësit e policisë, që ndërhynë për t’i larguar sepse kishin hyrë të paautorizuar. Mësohet se në pranga përfunduan K. K., 39 vjeç dhe E. K., 36 vjeç, të dy banues në Berat. Ata akuzohen për veprën penale “kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i policise:

Berat

Hynë me automjet, në oborrin e një shkolle publike, gjatë pasdites, si dhe kundërshtuan me dhunë, punonjësit e Policisë që ndërhynë për t’i larguar sepse kishin hyrë të paautorizuar, arrestohen 2 shtetas.

Shërbimet e Rendit Publik të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, gjatë patrullimit në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim garantimin e sigurisë publike dhe për parandalimin e paligjshmërive, gjatë pasdites së djeshme, kanë konstatuar një automjet tip “Benz” që qëndronte i parkuar në oborrin e një shkolle publike.

Pas konstatimit, shërbimet e Policisë janë afruar te automjeti dhe i kanë kërkuar drejtuesit të tij, shtetasit K. K. që të paraqesë dokumentet dhe autorizimin për të qëndruar në këtë ambient të posaçëm, me qëllim kryerjen e verifikimeve. As ky shtetas dhe as pasagjeri në këtë automjet, shtetasi E. K., nuk kanë pranuar të japin dokumentet dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, për të mos kryer veprime të mëtejshme procedurale.

Për këtë shkak, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve K. K., 39 vjeç dhe E. K., 36 vjeç, të dy banues në Berat, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u ushtrua kontroll në automjetin tip “Benz”, në të cilin nuk u konstatua asnjë send i kundërligjshëm.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *