• |
ide | kryesore

Nga Loro Boriçi te Ergys Luga, trainerët shqiptarë në Kinë

Sport



Si të gjithë trainerët nëpër botë, ai kishte ardhur në Kinë, por me valixhen gjithmonë gati. Por pas gati 4 vitesh eksperiencë, që nga ekipet e moshave deri të ekipet U-19, Ergys Luga tashmë ka plane të tjera për karrierën dhe jetën e tij në Kinë. Ky vend tashmë do ta shoqërojë gjithë jetën, pasi që nga janari i vitit të kaluar Kina është vendlindja e vajzës së tij. Ndonëse në Shqipëri dhe në Evropë tashmë janë ditët më të ethshme të merkatos për futbollistët dhe trainerët e futbollit, 35-vjeçari shqiptar nuk e fsheh faktin se një ofertë nga Superliga e Kinës do ta tërhiqte më shumë se një aventurë shqiptare. Një e tillë sapo i ka ardhur nga kryeqyteti kinez, por Luga nuk mund ta zbulojë para se atë ta bëjë publike menaxheri i tij. Pas një “pamundësie” trevjeçare për shkak të Covid-19, Luga thotë se ka ardhur koha të tregojë 100 për qind aftësitë e tij në fushën e trainingut.

Plot pesë dekada pasi shqiptari i madh Loro Boriçi bëhej trainer i Kombëtares së Kinës, një tjetër trainer nga vendi i shqiponjave kërkon të lërë gjurmë në futbollin e këtij vendi. Por tashmë kohët kanë ndryshuar, sepse shumë vite pas të madhit Boriçi, në Kinë u punësuan trainerë nga më të famshmit në botë, duke filluar nga Skolari, Kapelo, Lipi, Benitez, Erikson, Vilash Boash etj. Sipas trainerit shqiptar Ergys Luga, Kina po i kushton vëmendje shumë të madhe futbollit të moshave, duke qenë i sigurtë se shumë shpejt ky investim do të kthehet. Dhe për këtë përmend kombëtaren e femrave, e cila është kampione në fuqi e Azisë. “Kombëtarja e meshkujve aktualisht po kalon një tranzicion normal moshash, sikurse ka ndodhur edhe me kombëtare të tjera nëpër botë, si Gjermania dhe Anglia, pa përmendur Italinë, Hollandën etj., të cilat provuan një vakum disavjeçar rezultatesh.”- shpjegon Luga.

Në Kinë qindra mijëra shkolla, terrene, por edhe klasa sportive futbolli janë shpërndarë anembanë vendit, njëra prej të cilave është edhe ekipi që ai drejton. “Kombëtarja Rajonale e Guangzhout është përfaqësuese e rreth 20 milionë banorëve, gati dhjetë herë sa e gjithë Shqipëria.” – tregon traineri Luga, duke shtuar se ajo që i bën më tepër përshtypje, janë kushtet e mrekullueshme të krijuara për akademitë e moshave dhe ekipet zinxhirë. Vetëm stafi i tij i ngushtë teknik përbëhet 4 persona, përkthyesi që mbulon edhe sektorin e videoanalizës, asistenti e përgatitësi atletik si dhe traineri i portierëve. Duket e habitshme, sidomos për Shqipërinë, që futbollistët e vegjël dhe ata të rinj të trajtohen tre herë në ditë me ushqim, pa folur për bazën materiale. “Në Kinë stërvitjet me GPS në trup për të monitoruar gjendjen fizike të lojtarëve të tij, shoqërohen edhe me GPS te këpucët, për të parë mënyrën e goditjes, trajektoret dhe shumë të dhëna të tjera specifike që i duhen trainerëve të sotëm”, thotë Luga. Sipas tij, në ndihmë të stafit kohët e fundit është vënë edhe IA, ndonëse për të në futboll, në fund “vendos njeriu”.

Shpejtësia dhe teknika analitike janë dy tiparet e veçanta ku futbollistët kinezë qëndrojnë mbi të tjerët, sipas trainerit shqiptar. “Futbollistët kinezë janë fibër, janë tepër të shpejtë”. Megjithatë Luga është i befasuar nga fair play kinez. Edukata e futbollistëve në fushë, por edhe atyre që ndjekin nga shkallët e stadiumit, janë krejt ndryshe nga kontinenti i vjetër apo pjesë të tjera të botës. “Vetëm për një ofendim të gjyqtarit, në gjaknxehtësi e sipër gjatë një ndeshjeje, u dënova me rreth 500 dollarë nga Komisioni i Disiplinës”, tregon me humor Luga, duke mos fshehur faktin se gjoba ia ka “zbutur” pak grintën shqiptare.

Pas eksperiencave si zbulues talentesh në Shenzhen, drejtues i akademisë me “Jilin Profesional Football Club” dhe së fundi trainer me U-19 në Guangzhou, traineri Luga ëndërron të ngjitet në majat e futbollit kinez. Pas Loro Boriçit, ai është traineri i dytë në Kinë, ndërkohë që “ekipi” i futbollistëve shqiptarë është më i madh, duke filluar nga Jahmir Hyka, Albi Alla, Vasil Shkurtaj, Valdet Rama, Blerim Xhemaili dhe së fundi edhe Arijan Ademi, i vetmi që luan aktualisht në Superligën Kineze./ Edmond Laçi (CRI) ©lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *