• |
ide | kryesore

Lufta për bukën

Blog



Nga Edmond Laçi

E ndërsa konflikti ruso- ukrainas ka hyrë në muajin e tretë, njerëzimit i është shpallur një tjetër luftë. “Armiku” këtë herë ka hyrë pa bombarduar dhe është shtruar në tavolinat e bukës pothuajse në të gjithë globin. Fantazma e urisë ka nisur të kërcënojë që tani vendet e varfra dhe ato në zhvillim, sidomos në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme. Por rritja stratosferike e çmimeve të drithërave, plehrave kimikë dhe naftës për pajisjet bujqësore, ka bërë që edhe vendet e pasura të lëkunden seriozisht. Përveç Kinës, në pjesën tjetër të globit, çmimet bazë të produkteve ushqimore, pothuajse janë dyfishuar dhe supermarketet i ndryshojnë ato nga ora në orë.

Edhe “lufta për bukën”, sikurse për gazin, kishte nisur para asaj në Ukrainë. Ndonëse shpërthimi i konfliktit do t’i nxirrte përfundimisht jashtë kontrollit, në fund të shkurtit 2022 çmimet kishin kapur majat historike, sidomos për vajrat bimore dhe drithërat, por edhe mishit e produkteve të qumështit. Askush nuk vë dot bast tani nëse Ukraina do të jetë në gjendje të korrë fushat e saj këtë verë, apo të mbjellë të reja, ndërsa Rusia është nën sanksione tregtare dhe financiare. Dy vendet ndërluftuese së bashku përbëjnë 30 për qind të të gjithë furnizimit global të grurit, 20 për qind të misrit dhe 80 për qind të vajit të lulediellit. Aktualisht, të gjitha eksportet e drithërave nga Ukraina janë ndalur për shkak të mbylljes së porteve në Detin e Zi, aty ku ngarkesat kalonin tranzit në kohë paqeje. Ndërsa eksportet ruse vazhdojnë ta “çajnë” rrethimin pjesërisht drejt partnerëve më të afërt të mëdhenj tregtarë, si Turqia dhe Egjipti.

Duke qenë në “modë” kriza e hidrokarbureve, pothuajse është harruar fakti që zëri i parë në bilancin e eksporteve të Federatës Ruse, është pikërisht sektori i drithërave dhe jo ai i naftës dhe gazit. Rusia është eksportuesi i katërt më i madh në botë i ushqimit bazë të “energjisë” njerëzore, karbohidrateve. Ndërkohë Moska dhe Minsku kanë bllokuar edhe eksportet e plehrave kimikë drejt atyre që ata i quajnë “vende armiqësore”. Rusia dhe Bjellorusia janë përkatësisht eksportuesi i 1-rë dhe i 6-të më i madh në botë të plehrave kimikë, duke zënë 20 për qind të furnizimit global. Vetëm Rusia furnizon gati 1/10-ën e plehrave globalë të azotit dhe fosfatit dhe, së bashku me Bjellorusinë, përbëjnë rreth 1/3-ën e prodhimit të potasit. Pa llogaritur që 2022-shi i gjeti çmimet e plehrave që përdoren gjerësisht për kultivimin intensiv të drithërave, të rritura me mbi 200 për qind, në veçanti ureja (plus 276 për qind) dhe fosfati (240 për qind). Krizës i bashkangjitet edhe kosto e transportit detar të mallrave, i cili është rritur mesatarisht me 900 për qind në rrugët kryesore transoqeanike në 2 vitet e fundit. Ndërkohë këtë javë pritet të sanksionohet edhe nafta ruse, e cila padyshim do të sjellë një tjetër tërmet në çmimin e saj. Nafta, e cila vë në punë pothuajse 100 për qind të makinerive bujqësore, duket se është “këmba e fundit” që mbante karriken e copëtuar ku mbahej siguria globale ushqimore.

Lufta Botërore Ushqimore i ka dhënë tashmë sinjalet e saj të para. Libani që deri tani siguronte 85 për qind të nevojave të saj për grurë nga Ukraina dhe Rusia, njoftoi se rezervat e saj mjaftojnë vetëm për dy javë. Në Bejrut tashmë mielli shihet si një objekt luksi, ndërsa nuk mbeten pas edhe vende të tjera si Jemeni e Somalia. Ndërkohë nuk dihet si do të jetë fati i Eritresë, e cila varet 100 për qind nga gruri i prodhuar në të dy vendet ndërluftuese, Somalia (90 për qind) dhe Egjipti, 85 për qind. Tregu egjiptian i valutës provoi një tendosje të madhe këto ditë, duke detyruar Bankën Qendrore të pranojë një zhvlerësim të menjëhershëm të monedhës vendase me 16 për qind. Të ekspozuara ndaj pamundësisë për të siguruar rezervat e nevojshme të drithërave (mungesa në treg apo çmimi) mbeten pothuajse të gjitha vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Sub- ahariane, deri Bangladeshi dhe Indonezia. Këto dy të fundit gjithsesi mund ta zëvëndësojnë më lehtë konsumin e drithërave me oriz, çmimi i të cilit falë prodhimit të bollshëm në Kinë, nuk ka njohur rritje. Do të ishte një tragjedi ushqimore nëse çmimet e drithërave dhe të orizit do të ngriheshin në të njëjtën periudhë.

Në vitet 2007- 2008, kur pllakosi thatësira më e keqe e Shekullit të 21-të, çmimet e drithërave, sikurse tani, arritën në nivele rekord, duke shkaktuar kriza ushqimore për shumë vende afrikane. Dy vite më pas, sanksionet ndaj drithërave ruse çuan në inflacionin më serioz të ushqimit në histori, duke shkaktuar trazira sociale në Lindjen e Mesme dhe paraprirë “Pranverën Arabe”. Pikërisht ky skenar ka bërë që FAO (Organizata Botërore e Ushqimit dhe Bujqësisë), të lëshojë alarmin. Por edhe Bashkimi Europian ka nisur të “shkundet”. Para pak ditësh Këshilli i BE-së më në fund aprovoi masën e parë kundër krizës ushqimore që po troket. Shumë vende të BE-së, përfshirë edhe Italinë, parashikojnë që çmimi i 1 kilogram buke gjatë këtij viti të arrijë në 3 euro. Programi “Farm”, sikurse Covax për shpërndarjen e vaksinave kundër Covid, kërkon të rrisë transparencën në stoqet botërore, të garantojë furnizimet për vendet më të rrezikuara dhe të inkurajojë prodhimin në rajone të brishta. Gjithashtu BE do të japë 2.5 miliardë euro deri në vitin 2024 për të ndihmuar zonat më të prekura nga siguria ushqimore. Por këto masa janë shumë vonë, por edhe shumë pak. Sepse ndryshe nga Kina, apo Amerika e Veriut, BE e gjen veten të varur si në aspektin e ushqimit ashtu dhe atë të energjisë.

Megjithatë, sikurse Covid-19, edhe kriza ushqimore, nuk mund të lerë pa infektuar të gjithë globin. Dallimi i vetëm mbetet vetëm te dëmet. Sa më larg të jetë paqja në Ukrainë, aq më pranë është Lufta për Bukën. Diku ajo sapo ka filluar. (CRI)



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *