• |
ide | kryesore

Po, le të shihemi në Gusht..

Blog



Në të njëjtën orë që Ana Magdalena niset drejt ishullit, me siguri mijëra pelegrinë të Gabriel Garcia Marquez në gjithë botën dolën me 6 mars nga shtëpia me idenë për ta blerë librin e tij të fundit, që sipas amanetit të gjeniut të realizmit magjik, s’duhej ta lexonim.

Teksa Ana Magdalena merr anijen, ti shkon përmes sheshit Willson, në një mëngjes që s’ja ka dalë të ruajë asnjë kokërr breshëri rënë furishëm disa orë më parë, në ato kuadrate me mërzi poshtë dorës së Presidentit që ka shpëtuar Shqipërinë, drejt Dalanit. Libraria e tij, e vogël, por e pasur. E mbi të gjitha nuk të kthen mbrapsht. E madhe siguria që ta gjen ç’ka ti po kërkon.

Ana Magdalena ka zënë vend në stol dhe po mendon për 45 vitet e saj, kur ti sheh që ato pak metra katrorë me pirgun e rrëmujshëm të librave, po lyhen e po suvatohen. Ndonjë fast-food, i zuri vendin. I trishtë mendimi që u mbyll dhe një librari në Tiranën që është çdo vit kryeqyteti krenar i diçkaje tjetër.

Por Dalani ka lënë një shenim. Nuk është dorezuar. Kumti tregon se është zhvendosur pak më tej. Anës i duhet dhe pak të mbërrijë në ishull, dhe po aq librashitësit të sigurojë një kopje, pasi merr në telefon shtëpinë botuese që e sjell me një furnitor të paisur me motorr picash.

“Shihemi në Gusht” janë nja 115 faqet më vezulluese që mund të lexosh. Të shkrifta, të hajthme, prej përkthimit të Mira Meksit. Pak gjasa për të vënë shenjë, a për ta lënë në mes. Një udhëtim në çdo kohë, përmes kësaj zonje Bovari të Markezit, e cila, papritur, një ditë të nxehtë, djegaguri si i thonë, tek kryen ritualin e përvitshëm për të derguar një tufë me lule pranë varrit të së ëmës, kujtohet se i ka kaluar pranverat e saj, në një boshllëk. Në një hiçgjë.

E pushton një ndezulli. Dhe vendos të çlirohet, të marrë frymë.

5 ditët në ato 5 vite që shkon në ishull për një natë të vetme, janë jeta e saj.

Në secilën nga këto arrati, ajo konsumon një aventurë. Mund të dëgjosh se si i kercasin brinjët dhe i pulson zemra tek kryen diçka që kurrë se ka bërë, në rutinën e saj në shtëpi, me kohën që i kushton familjes.

Po të mos ishin disa referenca që Markez sjell kur e kur, si Kamy apo Borges, Ana i lexon, këto dhiare të reja të saj mund të ishin të çdo moti. Mund të ishte kaike, avullore, apo anije me motor të fuqishëm që e hedh në ishullin ku prehet e ëma, aty ku merr hov shpirti i saj, në vetëm 12 orê. Nuk ka kohë për të humbur, të nesërmen, me kthimin, do të rifutet në këmishën e forcës.

Ana kërkon shëlbuesin, ashtu si një grua tjetër e një kohe të largët që ta kujton mbiemri Magdalena, e pati gjetur.

Procedura dhe burokracia po ja ngushton hapësirën, po ja zvogëlon lirinë. Bashkia ka vendosur të kryejë zhvarrimin, për punët e veta. Në të pestën arratisje gladiolat i shkojnë dëm. Gjithë çka mbetur nga e ëma, ja dorëzon në një thes nëpunësi që kujdeset për atë kodrinë. Kthehet në banesë dhe i lë në dysheme, me një fjalim të shkurtër para bashkëshortit. “Eshtrat e mamasë”.

Kjo do të thotë se s’ka më biletë për në ishull. Nuk ka më arratisje. Ema Bovari e Markezit u kthye në plëngun e përjetshëm.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *