• |
ide | kryesore

Një mbret i heshtur norvegjez në Golem

Blog



Ende edhe sot, miliona njerëz në botë shohin një video ku një 13-vjeçar, ngrihet nga tavolina e shahut dhe me një shpërfillje të pabesueshme bën ca hapa tallës lart e poshtë, duke lënë me kokën mbërthyer në grushta kampionin absolut të planetit asokohe, Garry Kasparov.

Magnus Carlsen renditej i 700-ti, por i mori barazim të rankuarit i pari pa asnjë mëdyshje.

Nga analizat që bëhen edhe kesaj dite, Magnus kishte dy herë mundësi të artë për ta fituar atë ndeshje, e para dhe e fundit mes dy emblemave.

32-vjeçari norvegjez është sot duke shëtitur buzë detit në Golem. Ai është gjithnjë vetëm. Ka refuzuar makinën dhe shoferin. Madje, i bëri rezistencë edhe pritjes VIP që ju bë në Rinas.

Mbreti i heshtur nordik i shahut gjendet me ekipin e tij prej të hënës në kampionatin europian që po zhvillohet tek një sallë e madhe e Fafa Resort.

Nuk është e lehtë për të hyrë në atë aulë. Presidenti jonë i federatës, mjeshtri ndërkombëtar, Erald Dervishi na ka siguruar leje kalimi. Futemi vjedhurazi e majagishtas. Shumë të huaj, pjesë e organizimit, na bëjnë gjithnjë shenjë me gishtin kryq në buzë.

Janë ekipe nga gjithë kontinenti, dallohet dhe e vogla e talentuara Kler Çaku.

Nuk ka të tillë qetësi në asnjë meshë. Një lloj tiranie konsensuale. Mund të ndjehet çdo frymëmarrje e sforcuar. Diku në mes, po luan kampioni më i madh i të gjithë kohëve. Kruan kokën dhe hedh në një anë gëmushën me flokë të dendur. E ndjen që po fotografohet, po nuk i heq sytë për asnjë moment nga strategjia e fillimit të sfidës që ka në dorë. Duke marrë në konsideratë dhe moshën dhe se sa vite më tutje do të ulet në tryezë pas ushtarëve dhe mbretëreshës së tij, Carlsen me siguri do të shënojë ndonjë rekord që vështirë të thyhet. Deri tani, 10 herë në fronin e më të mirit.

Në Golem, askush nuk e ka mundur deri tani. Ka shumë që duan të luajnë me të jashtë garës, por ai është pak i pamundur.

Romina që është guida jonë na tregon me një lëvizje të ndrojtur të dorës, ku janë vendosur skuadrat shqiptare.

Kemi pasur suksese në shah, po ky organizim është një majë.

Po të qe futboll, ai që del pa bërë zë dhe me kufje në vesh nga hoteli ku është akomoduar e vjen fillikat tek salla e garës, do të ishte Messi.

Po Magnusin nuk e njohin shumë në rrugë. S’ka dhe aq vëmendje për shahun. Dhe ky event nuk ja ka dalë të jetë sa duhet në media. Të paktën jo deri tani. Të shtunën shpallen kampionët në një ceremoni te Pallati i Brigadave. Me gjasë, më afër syrit të rreptë e seleksionues të Tiranës.



2 Comments

    1. Po pra …e kupton ti ca plehrash prodhon filologjiku sot apo jo o Monoooo…
      Le po i lejon vetes që si intelektual i rëndë që është ky gazetaruci na shan edhe provincialët jashtë kryeqendrës botërore të kulturës rrëzë Dajtit (hub-it do kishte zoografisur dreqi) : “Me gjasë, më afër syrit të rreptë e seleksionues të Tiranës.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *