• |
ide | kryesore

Stoltenberg do të qëndrojë në krye të NATO-s edhe për një vit

Lajme, Të fundit



Ambasadorët e 31 shteteve anëtare të NATO-s kanë vendosur që t’i vazhdojnë edhe për një vit mandatin sekretarit të përgjithshëm të aleancës, Jens Stoltenberg.

Sipas këtij vendimi, që u mor në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut të mbajtur në Bruksel më 4 korrik, Stoltenberg do të mbetet në krye të aleancës deri më 1 tetor 2024.

Me këtë vendim iu dha fund spekulimeve lidhur me zgjedhjen e mundshme të pasardhësit të Stoltenbergut në krye të NATO-s.

Stoltenberg ka falënderuar shtetet anëtare për besimin e dhënë.

“Jam i nderuar nga vendimi i aleatëve në NATO për të vazhduar mandatin tim si sekretar i përgjithshëm. Lidhja transatlantike mes Evropës dhe Amerikës së Veriut e ka siguruar lirinë dhe sigurinë tonë për gati 75 vjet dhe në një botë shumë më të rrezikshme, kjo aleancë është më e rëndësishme se kurrë më parë”, tha ai.

Ka pasur përpjekje që deri në samitin e NATO-s, që do të mbahet në Vilnius më 11 dhe 12 korrik, të arrihej pajtim mes aleatëve për sekretarin e ri të përgjithshëm. Por, duke pasur parasysh situatën globale dhe me sfidat me të cilat po përballet hapësira euroatlantike, është vendosur që Stoltenbergut t’i vazhdohet mandati edhe për një vit.

Vendimi për emërimin e shefit të NATO-s merret me konsensus të 31 shteteve anëtare.

Kjo është hera e katërt që i zgjatet mandati Stoltenbergut dhe më 2024 do të bëhen dhjetë vjet që ai do të jetë në krye të aleancës.

Më herët gjatë këtij viti, Stoltenberg deklaroi se nuk ishte i interesuar që të mbetet në postin e sekretarit të përgjithshëm pasi t’i skadonte mandati i fundit. Ai veçse ishte emëruar edhe president i Bankës Qendrore të Norvegjisë.

Por, tani ai ka pranuar vendimin e shteteve të NATO-s dhe do të mbetet në krye të aleancës deri në tetorin e vitit të ardhshëm. Aleatët e kanë falënderuar Stoltenbergun për udhëheqjen e tij, për përkushtimin e treguar për ruajtjen e unitetit transatlantik në kohën kur bota po përballet me një prej sfidave më të paprecedentë të sigurisë, pasi Rusia shkurtin e kaluar nisi pushtimin e Ukrainës.

Vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut do ta konfirmojnë edhe liderët e vendeve anëtare në samitin e tyre në Vilnius të Lituanisë. REL



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *