• |
ide | kryesore

OKB i kërkon Rusisë të rinovojë marrëveshjen e grurit me Ukrainën

Arkiva, Lajme, Të fundit
OKB



Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres të hënën i kërkoi Rusisë të rinovojë marrëveshjen e ndërmjetësuar ndërkombëtarisht në mënyrë që drithërat të mund të transportohen nga portet e Detit të Zi të Ukrainës.

Ai tha se në të kundërtën, njerëzit e uritur në botë do të vuajnë pasojat më të rënda.

Lexo më tej: Rusia tërhiqet nga marrëveshja e grurit, goditje e madhe për furnizimet globale të ushqimit 

Shefi i OKB-së bëri këtë thirrje gjatë një fjalimi në Romë, në hapjen e një samiti tre-ditor për sistemet ushqimore.

Me largimin e Rusisë nga marrëveshja e grurit me Ukrainën, “më të cenuarit do të paguajnë çmimin më të lartë”, tha Guterres.

Ai u ankua se tashmë ka efekte negative në çmimet globale të grurit dhe misrit, megjithëse nuk përmendi shifra.

Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë “thelbësore për sigurinë globale të ushqimit”, tha udhëheqësi i OKB-së.

Ai vuri në dukje se në këto dy shtete është llogaritur historikisht 30% e eksporteve globale të grurit dhe elbit, një të pestën e gjithë misrit dhe më shumë se gjysmën e të gjithë vajit të lulediellit.

“Nga ana ime, unë mbetem i përkushtuar për të lehtësuar aksesin e papenguar në tregjet globale për produktet ushqimore dhe plehrat si nga Ukraina ashtu edhe nga Rusia dhe për të ofruar sigurinë ushqimore që çdo person meriton,” tha udhëheqësi i OKB-së.

“I bëj thirrje Rusisë që të kthehet në zbatimin e Iniciativës së Detit të Zi, në përputhje me propozimin tim të fundit”, tha Guterres, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të qëndrojë i bashkuar për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.

Refuzimi i Rusisë për të rinovuar marrëveshjen në fillim të këtij muaji, ka bërë që anijet të mos mund të kalojnë nga portet e Ukrainës.

Marrëveshja ishte ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia si një mënyrë për të dërguar grurin në vendet në zhvillim, veçanërisht në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, pavarësisht luftës së nisur nga Moska kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Kur u arrit marrëveshja e grurit, Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së rifitoi një furnizues kryesor, duke lejuar 725,000 tonë ndihma ushqimore humanitare të largoheshin nga Ukraina dhe të arrinin në vendet në prag të urisë, duke përfshirë Etiopinë, Afganistanin dhe Jemenin./REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *