Roberto Mancini nuk vonoi të sqaronte gjërat pas lamtumirës së befasishme me kombëtaren italiane. Pak orë pas lajmit të dorëheqjes së tij, ish-trajneri i Italisë ka dashur të sqarojë gjërat në rrjetet sociale duke falënderuar Federatën për rrugën plot buzëqeshje, por edhe disa zhgënjime, në këto 5 vite.
“Dorëheqja ime si trajner i Kombëtares ishte zgjedhja ime personale. Falenderoj Presidentin Gabriele Gravina për besimin e tij, së bashku me të gjithë anëtarët e FIGC” – shkroi Mancini.
Ai përmend edhe ata që vitet e fundit bënë të mundur arritjen e objektivave të rëndësishëm si fitimi i Kampionatit Europian në verën e 2021. Mancini shpërndau foton e triumfit blu në Wembley në Instagram për të përshëndetur të gjithë: “Përshëndetje dhe faleminderit. Të gjithë lojtarët dhe tifozët e mi që më kanë shoqëruar gjatë këtyre 5 viteve. Do të mbaj gjithmonë në zemër fitoren e jashtëzakonshme të Kampionatit Evropian 2020. Ishte një nder” – shkruan Mancini.
Ndërkohë duket se Arabia Saudite ka bërë një ofertë të majme për Mancinin. Trajneri duket se ka në tavolinë një super-propozim nga kombëtarja arabe që është duke kërkuar një trajner pas kalimit të Renard në kombëtaren e femrave.
Thuhet se Federata Arabe e Futbollit i ka ofruar Mancinit një superkontratë me vlerë 60 milionë euro në sezon për të planifikuar të ardhmen e afërt, nga lojërat aziatike deri në Kupën e Botës 2026. Ideja është Vision 2030 duke shpresuar se Kupa e Botës do t’u caktohet sauditëve.
Nga Arabia tashmë ka disa media që raportojnë ardhjen e tij si zyrtare, edhe nëse ende nuk ka asnjë njoftim për shtyp nga kombëtarja arabe. Ndërkohë, Federata Italiane nuk ka ndërmend t’i kërkojë ish-trajnerit të Interit dëmshpërblim për kontratën e mbyllur paraprakisht. Mediat italiane shkruajnë se kandidatë për ta pasuar janë Conte dhe Spalleti. ©LAPSI.al
View this post on Instagram