• |
ide | kryesore

“Kujtova se Nedimi ishte jashtë loje”: Daku shpërthen në lot për rastin e humbur: flasin protagonistët

-Instant, Sport
Daku



“Nuk e di, jam pa fjalë. Kur përfundoi ndeshja isha totalisht i emocionuar që arrita të debutoj me kombëtaren shqiptare. Për mua është arritje e madhe, për familjen time që kemi luftuar për të arritur këtë moment”. Mirlind Daku ka bërë shumë rrugë nga Kukësi te Rubin Kazan e tani në kombëtare. Sulmuesi ka bërë debutimin me fanellën kuqezi e dukshëm i emocionuar, ka folur edhe për mundësinë e humbur 6 minuta nga fundi. Një kundërsulm i shpenzuar, me një pasim të gabuar që mund të ishte goli i fitores.

“Në rastin e parë mendova ta pasoja te Nedimi – shpjegoi Daku -. Por në atë moment mendova që është jashtë loje e desha t’ia jap Mujës. Nuk desh Zoti ta mbyllnim me atë aksion e shënonim. Dëshira ime ishte të shënonim por çfarë t’i bëjmë. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të jemi më syhapur”, tha Daku.

Qendërsulmuesi pastaj foli fjalë të ngrohta për publikun dhe kombëtaren: “Për këtë arsye luftojmë këtu, udhëtojmë 12 orë me avion, vetëm për të bërë krenar popullin tonë, që me shumë sakrifica ka ardhur në këtë ditë. Kjo është më shumë se një Kupë Bote, kur sheh gjithë atë popull duke na përkrahur” e mbylli Daku.

GJIMSHITI: KY ËSHTË VITI YNË

“Ata janë fizikisht më të fortë se ne, por nuk do të thotë se do t’i fitonin duelet, duhet edhe dëshirë. Luajtëm ndeshje fizike të mirë, për lojën ndoshta jo shumë. Kjo pikë do të na vlejë shumë. Luajtëm përballë një kundërshtari të fortë që luan në Europiane dhe Botërore. Na kanë shtyrë tifozët. Më shumë ishin tanët se çekët, nga ajo ç’kam kam dëgjuar në fushë”. Berat Gjimshiti, me shiritin e kapitenit, ka bërë një ndeshje të rëndësishme, sidomos në luftën në ajër kundër shtatlartësisë së kundërshtarëve. Mbrojtësi i Atalantës i ka vënë pikësynimin vetes të shkojë në Europian me Shqipërinë: “Ky është viti i duhur për mua që kam qenë jashtë në 2016. Atëherë isha i mërzitur. Mentaliteti im është që të vazhdoj gjithmonë përpara. Është viti i duhur për ne të gjithë. Do të kishte qenë diçka shumë e bukur për të gjithë ne”.

Lexo më tej: Video/ Bajrami, super gol dhe pikë në Pragë: Shqipëria del me barazim nga Çekia

Pastaj qendra e Atalantës tregoi edhe një histori, mes koincidencës dhe supersticiozitetit. “Dje takova babin me disa shokë nga Zvicra – tha Gjimshiti -. Ata ishin edhe në Danimarkë, kur debutova, e mbaj mend mjaft mirë. Para 8 vitesh, shpresoj që të na sjellë fat. Jemi të lodhur, por të lumtur. Duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, që është shumë e rëndësishme”, përfundoi mbrojtësi.

BAJRAMI: GOLI MË I BUKUR NË KARRIERË

“Sapo pashë që Asani fitoi duelin, u fiksova direkt te porta, e godita dhe jam i lumtur që e ndihmova skuadrën. E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë, dhamë shpirtin në fushë, duhet të vazhdojmë me këmbë në tokë, të dielën kemi një finale tjetër. Ne do të japim shpirtin në fushë, shpresoj që shqiptarët ti kemi mbështetje”. Nedim Bajrami është entuziast për golin e shënuar e që i dha një pikë Shqipërisë. Përballë Çekisë u mbyll 1-1 me një gol fantastik të fantazistit: “Deri tani është goli më i bukur në karrierën time. Nuk bëmë ndeshjen më të mirë, mund të luajmë edhe më mirë. Sakrifikuam shumë, luajtëm si skuadër, duhet të vazhdojmë kështu me këmbë në tokë”, u shpreh Bajrami.

BERISHA: E KALOVA MOMENTIN MË TË KEQ

“Ndeshja e parë me Empolin mund të them se ka qenë ndër më të vështirat e mia. Isha jashtë skuadre e ishte moment “jo” për mua. Por kam dhënë maksimumin në stërvitje. Tani gjëja kryesore është të mendojmë për ndeshjen e radhës me Kombëtaren, pasi nga kjo ndeshje jemi të kënaqur”. Etrit Berisha nuk e fsheh lumturinë. Koha kur fushën e shihte vetëm nga pankina ka kaluar dhe tani edhe kombëtarja mund ti gëzohet kthimit të portierit të saj. “Ishim pak të lodhur pas ndeshjes, por edhe të kënaqur me paraqitjen, e dimë që rruga është ende e gjatë. Kemi pak më shumë se 48 orë deri në ndeshjen e radhës se duhet të konsolidojmë forcat e kemi një betejë që mund të thotë shumë për kualifikimin”.

Në fund një llogaritje e shpejtë, ku Berisha sheh Shqipërinë në Europian dhe një mes cekëve e polakëve jashtë: “Nuk më intereson kush tjetër rri jashtë, më intereson të jemi ne skuadra që shkon mes dy të parave. Përparësi ka Çekia se ka fituar ndeshjen e parë me Poloninë, por asgjë nuk është e sigurt. Shpresojmë që të fitojmë ndeshjen e radhës”.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *