• |
ide | kryesore

BIRN: ‘Kalendari i ngjeshur’ i Kryetares së Kuvendit mban peng zbatimin e vendimit të GJK për Xhaçkën

Arkiva, Lajme, Të fundit
Olta Xhaçka



Kuvendi vazhdon të mbajë peng zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes dhe ish-ministres Olta Xhaçka.

Në fund të muajit janar Gjykata Kushtetuese shfuqizoi si antikushtetuese dy vendime të Kuvendit për të bllokuar dërgimin në këtë gjykatë të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, por 8 muaj më pas këto vendime nuk janë zbatuar ende nga Kuvendi.

Në fillim të korrikut Këshilli i Legjislacionit, pasi mbajti në shqyrtim për disa muaj këto vendime, doli me dy raporte për Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, si autoritet ligjor që do të vendosë për hapat e tjerë që do të ndjekë Kuvendi.

Raporti i mazhorancës i sugjeronte rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa mendimi i pakicës sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.

E pyetur nga BIRN se pse nuk ishte ndërmarrë asnjë hap i mëtejshëm për zbatimin e vendimeve të Gjykates Kushtetuese, Kryetarja e Kuvendit u justifikua me axhendën e ngjeshur në fillim të sesionit parlamentar.

Shefi i i saj i kabinetit, Kosta Bajraba, tha se “Kryetarja e Kuvendit do të thërrasë së shpejti Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Inunitetit për ta shqyrtuar çështjen në frymën e vendimit të GJK-së”. Ai shtoi se nuk ka qenë e mundur thirrja e këtij këshilli më herët “për arsye të kalendarit të ngjeshur të punës”.

Por, ky argument nuk është bindës për kryetarin e grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, i cili i tha BIRN se ka kërkuar zyrtarisht dhe ka ngritur shqetësimin që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“E kam kërkuar vazhdimisht këtë çështje në Konferencën e Kryetarëve”-tha ai, duke shtuar se, -“moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është një akt që cënon rëndë shtetin ligjor”.

Sipas Bardhit, zbatimi i vendimit kërkon që Kryetarja e Kuvendit ta përfshijë këtë çështje në seancë plenare dhe Kuvendi të vendos dërgimin e çështjes për gjykim në Kushtetuese.

Me dy mocione të njëpasnjëshme në qershor dhe korrik të 2022 deputetët e opozitës kërkuan heqjen e mandatit të deputetes socialiste, pasi bashkëshorti i saj, ish-deputeti socialist Artan Gaçi, u shpall investitor strategjik.

Këshilli i Mandateve pas disa muajsh debate doli me dy raporte dhe në nëntor 2022 mazhoranca votoi kundër dërgimit të papajtueshmërinë së mandatit në Kushtetuese.

Të dyja grupimet e Partisë Demokratike iu drejtuan me kërkesa të veçanta Kushtetueses duke kërkuar rrëzimin e vendimit të Kuvendit dhe interpretimin në themel të çështjes.

Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e 1/10 së deputetëve dhe riktheu çështjen në Kuvend, duke e cilësuar antikushtetues vendimin e mazhorancës që bllokonte dërgimin e çështjes në Kushtetuese.

Në vendimin tjetër, Gjykata Kushtetuese pushoi kërkesën e 1/5 së deputetëve që kërkonin trajtimin në themel të çështjes dhe marrjen e një vendimi për papajtueshmërinë e mandatit, duke mos e legjitimuar si subjekt që vë në lëvizje gjykatën për këtë çështje.

Xhaçka mbante detyrën e Ministres së Jashtme deri në fillim të shtatorit, kur kryeministri Edi Rama njoftoi shkarkimin e saj pa asnjë argumentim.

Statusi “investitor strategjik” për bashkëshortin e saj u firmos nga Rama dhe disa ministra, anëtarë të Komitetit për Investimet Strategjike, ndërsa më vonë me vendim qeverie iu dha e drejta e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit dhe plazhit përballë hotelit.

Nëpërmjet një avokati Xhaçka u mbrojt para Këshillit të Mandateve se kishte deklaruar ‘konfliktin e interesit” dhe nuk kishte marrë pjesë në atë mbledhje.

Kompania e Gaçit mori në mars të vitit 2021 statusin ‘investitor strategjik’, por në korrik 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike ia kaloi përfitimet e statusit, kompanisë “AGTÇ Hotel Managment”, që më pas u zbulua se i përkiste kunatës së Xhaçkës.

Statusi “investitor strategjik” parashikon përfitime publike për fituesin, reduktim të TVSH-së, procedura të përshpejtuara administrative, akses në infrastrukturë dhe rrjetin elektrik, si dhe përdorimin e tokës shtetërore si plazh para hotelit./BIRN



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *