• |
ide | kryesore

Sulmi në Kosovë/ Britania përkëdhel Serbinë

Arkiva, Lajme, Të fundit
Britania



Ministri britanik për Çështje Evropiane, Leo Docherty, ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Ai më 27 shtator u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë dhe Serbi që të punojnë së bashku që autorët e sulmeve të dalin para drejtësisë.

“Mbretëria e Bashkuar vazhdon të inkurajojë për sjellje konstruktive në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si proces kyç për stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, tha Docherty, i cili u takua me zyrtarët serbë në Beograd, transmeton agjencia Beta.

Docherty qëndroi në Beograd si pjesë e turneut të tij në Ballkanin Perëndimor. Ai u takua me ministrin serb për Punë të Jashtme, Ivica Daçiç, dhe ministren për Integrime Evropiane, Tanja Mishçeviç, por edhe me ligjvënës serbë.

“Ngjarjet më 24 shtator paraqesin rreziqet reale për stabilitetin rajonal. Ato rrjedhin nga akumulimi i armëve dhe dështimi për të arritur përparim në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka për qëllim që të gjitha komunitetet të ndihen të sigurta”, tha Docherty.

Ai i bëri thirrje Serbisë që të bashkëpunojë me autoritetet në Kosovë dhe partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që autorët e sulmit të dalin para drejtësisë. Ministri britanik po ashtu i bëri thirrje Serbisë që të përdorë ndikimin e saj në veri të Kosovës për të shtensionuar situatën dhe që të mos ketë më shumë dhunë.

“Mbretëria e Bashkuar inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe në mirëbesim të rikthehen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, u tha në deklaratë.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.

Nga sulmet mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë./ REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *