• |
ide | kryesore

VIDEO/ Vuçiç acarohet në CNN: Mos vendosni fjalët gabim në gojën time

Arkiva, Lajme, Të fundit
vuçiç



Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dha një intervistë për gazetaren e njohur të CNN, Christiane Amanpour. Ai tha se raportet e Uashingtonit që paralajmëronin për një grumbullim të madh të trupave serbe në kufirin me Kosovën “nuk ishin plotësisht të sakta”.

“Ne gjithmonë i vlerësojmë të gjitha raportet që vijnë nga NSC (Këshilli i Sigurisë Kombëtare), Shtëpia e Bardhë dhe të gjitha institucionet e tjera që vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Por çështja e vërtetë është se këto raporte nuk ishin plotësisht të sakta” – tha ai.

Shtëpia e Bardhë tha javën e kaluar se ishte e shqetësuar, duke paralajmëruar për një grumbullim “të paprecedentë” të artilerisë së avancuar serbe, tankeve dhe njësive të mekanizuara të këmbësorisë pranë kufirit të Kosovës duke bërë thirrje për një “shtensionim të menjëhershëm”.

“Një vit më parë kishim 14 mijë njerëz në vijën administrative me Kosovën. Pak ditë më parë kishim më pak se 8400. Sot kemi 4400, që është numër i rregullt i njerëzve”, – u përgjigj Vuçiç.

“Ne gjithmonë dëgjojmë dhe kemi dëgjuar gjithmonë kur partnerët tanë na kërkonin të de-përshkallëzonim një situatë dhe ne e bëmë edhe këtë herë, megjithëse nuk kishte arsye për një shqetësim të madh, sepse nuk kishim nevojë për asnjë lloj lufte, asnjë një lloj përplasjeje me NATO-n”, – shtoi ai.

I pyetur se pse qeveria serbe zhvendosi më shumë trupa në kufi, Vuçiç tha se ushtria e Serbisë “e ndjek situatën në terren dhe ata i lëvizin forcat në një mënyrë që ata besojnë se mund të jetë… më e dobishme dhe ata kanë operacionet e tyre. Unë nuk kam nënshkruar as një alarm më të lartë për ushtrinë tonë” – tha ai.

Pyetjes së Amanpour nëse organizatori i sulmit në Banjskë, Milan Radojçiç, do të vihej para drejtësisë, ai u përgjigj duke thënë se drejtësia do të bëjë punën e saj, por pa konfirmuar nëse do ta dorëzojë atë tek autoritet e Kosovës.

“Sigurisht, Serbia do të bëjë përgjegjës të gjithë njerëzit që kanë kryer vepra kriminale dhe që ne mund t’i gjejmë në territorin tonë. Prokurorët do të bëjnë punën e tyre” – tha Vuçiç që justifikoi sulmin nga dëshira e serbëve për të “mbrojtur veten”.

“Unë nuk do të mbroj vrasjen e një polici shqiptar dhe nuk e bëra. Unë e dënova atë. Por unë po them se serbët po arrestoheshin pa akuza, kontrolle në shtëpi, dëbime, shpronësime, gjithçka që nuk ishte në përputhje me marrëveshjen e Brukselit”, – shtoi ai.

Ai akuzoi Prishtinën se po kryen “spastrim gradual etnik” në veri, për të cilin Amanpour tha se Bashkimi Europian dhe SHBA nuk pajtohen me këtë vlerësim.

Madje gazetarja i kujtoi Vuçiçit se pas negociatave në Ohër ka thënë se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen sepse “i dhemb krahu”. Amanpour e pyeti me ironi nëse “ka ende dhimbje apo është gati për marrëveshje”, por Vuçiç tha se Serbia është konstruktive dhe këtë sipas tij e kanë konfirmuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë Josep Borrel dhe Miroslav Lajçak.

Ajo që shtoi më shumë tensionin ishte momenti kur Amanpour i tha presidentit serb se “zakonisht flet ndryshe për ndërkombëtarët dhe ndryshe për popullin serb”. Kjo e cili irritoi pa masë Vuçiçin që tentoi ta korrigjonte gazetaren e CNN.

“Kam bërë gjithçka që u kam thënë miqve tanë nga SHBA-ja dhe BE-ja se do të bëj. Ekziston edhe kushtetuta e Serbisë dhe duhet ta respektoj atë”, – tha Vuçiç.

Vuçiç tha se ishte krenuar që në takimin e fundit në Bruksel doli pala konstruktive, se kishte vendosur një ofertë në tryeze për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se do të zbatonte çdo pikë të marrëveshjes së normalizimit, nëse Kosova formon Asociacionin.

Një tjetër pyetje që irritoi Vuçiçin, ishte ajo e raporteve me Millorad Dodik. Gazetarja kërkoi përgjigje nëse qëndronte Vuçiç pas tensioneve te fundit në Bosnje dhe Hercegovinë, ku Republika Srpska kërcënon me shkëputje.

“Mos fusni fjalë në gojën time që si kam thënë unë”, u përgjigj Vuçiç, mjaft i irrituar. Në fund u pyet edhe nëse mbështet mesazhin e sportistit Novak Gjokoviç, ku gjatë një eventi shkruajti në kamera “Kosova është zemra e Serbisë”, duke u përgjigjur se është një ide që e përkrah 99% e popullatës në Serbi, duke lënë të kuptohet, përfshirë edhe atë vetë. ©LAPSI.al



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *