• |
ide | kryesore

Studimi/ Kokë a pil? Monedha nuk është “e paanshme”

Arkiva, Lapsi Leaks
pil



Kokë apo pil? Sipas studiuesve, edhe një hedhje e monedhës nuk është “e paanshme”. Një studim zbuloi se në 50.8% të rasteve fiton pala që ka zgjedhur figurën që qëndron lart para hedhjes në ajër. Studimi i veçantë është bërë nga Universiteti i Amsterdamit nën drejtimin e profesorit Eric-Jan Wagenmakers i cili rekrutoi 48 studentë të cilët hodhën në ajër monedha të ndryshme. Ata bënë gjithsej 350 757 hedhje të monedhës në ajër derisa zbuluan probabilitetin real të secilës anë të saj. Paanshmëria e monedhës ishte vënë në dyshim që në vitin 2007, kur ekspertët e matematikës dhe statistikave shpjeguan se ky çekuilibër shkaktohej nga fenomeni i precesionit, apo sjellja e trupave rrotullues.

Studiuesit në Universitetin e Amsterdamit thonë se kur një monedhë hidhet lart, gishti i madh i personit që e hedh i jep asaj një lëkundje të lehtë. Bazuar në këtë forcë, ana poshtë do të shpenzonte më shumë kohë për t’u kthyer se ajo lart kur monedha është në ajër. Hipoteza ishte hedhur që në vitin 2007 nga disa ekspertë në Universitetin e Stanfordit. Dy matematikanët Persi Diaconis dhe Susan Holmes, së bashku me statisticienin Richard Montgomery hodhën poshtë paanshmërinë e monedhës falë fenomenit të precesionit.

Në fizikë, precesioni korrespondon me ndryshimin në boshtin e rrotullimit të një trupi në lëvizje rrotulluese. Nëse goditet rrafsh ai anohet anash, nëse goditet fort rrotullohet rreth boshtit të tij. Duke marrë parasysh këtë teori dhe faktin se monedha më shpesh fluturon anash dhe jo lart, studiuesit arritën në përfundimin se në afërsisht 51% të rasteve fitonte ana e monedhës që ishte lart. Megjithatë, demonstrimi i gjatë dhe i lodhshëm i teorisë u krye nga studentët e universitetit.

Zakoni shumë i lashtë “Kokë apo pil” përdoret zakonisht kur nuk di çfarë vendimi të marrësh duke ia besuar opsionet dy fytyrave të monedhës dhe duke lënë rastësinë të vendosë. Emri i këtij zakoni shpesh lidhet edhe me historinë e vendit. Në Romën e lashtë kishte shumë të pavendosur, por në atë kohë thuhej “navis aut caput” (anije apo kokë), pasi në disa monedha romake ishte paraqitur një anije në njërën anë dhe koka e perandorit në anën tjetër. ©TG Com, LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *