• |
ide | kryesore

“Il Riformista”: Pse Rama dhe Meloni “harruan” në sirtar marrëveshjen për pensionet

Arkiva, Lajme, Të fundit
meloni



Për herë të parë që nga valët migratore të viteve 1990, Shqipëria ka rifituar faqet e para të gazetave italiane. Sa keq që muzika nuk ishte më e mirë. Me atë vokacionin për teatralizëm tipik të një artisti që i futet politikës (ose të një politikani të përkushtuar ndaj artit, varet nga këndvështrimit tuaj), kryeministri shqiptar Edi Rama erdhi në Romë për të nënshkruar një marrëveshje me kryeministren italiane Giorgia Meloni, mbi asgjë. Italia, ndoshta, do të bëjë në Shqipëri atë që mund të bënte me kosto më të ulët dhe respekt më të madh të ligjit ndërkombëtar në territorin e saj. Me shifra të konsiderueshme dhe me komplikime të paprecedenta menaxhimi dhe shkeljesh humanitare. Shqipëria, në këmbim, do të ketë disa foto në faqet e para të kryeministrit të saj dhe pak ndryshim.

Sipas disa gazetave italiane, në tavolinë për shkëmbim do të ishte edhe marrëveshja dypalëshe mes dy vendeve për njohjen e të drejtave të pensioneve. Por si zakonisht, gazetat tona ndjejnë nevojën e papërmbajtshme për të shkruar pa u thelluar më thellë. Marrëveshja e pensioneve mes Italisë dhe Shqipërisë tashmë është shkruar dhe financuar. Nëse ende nuk është bërë realitet, kjo ndodh sepse, me sa duket, dy qeveritë, përfshirë edhe atë të Tiranës, nuk u intereson shumë. Imagjinoni nëse mund të kishte një shkëmbim. Asgjë për asgjë.

Nuk është e vështirë ta zgjidhësh këtë histori, mjafton të shikosh fondet. Ligji i buxhetit italian për vitin 2022, ka ndarë 136.5 milionë euro në 10 vjet, duke filluar nga 1 janari 2023, për financimin e asaj marrëveshjeje. Pas kësaj, nga viti 2032 e në vazhdim, do të ketë 20.3 milionë në vit për njohjen e të drejtave të njerëzve të njërit vend që punojnë në tjetrin. Falë këtij financimi, Italia dhe Shqipëria përfunduan shpejt procesin e negociatave për të arritur në një tekst të përbashkët të një marrëveshjeje të sigurimeve shoqërore, të nënshkruar më 26 korrik 2022 në Tiranë. Si kryetar i delegacionit për vendin tonë (i emëruar nga ministri Orlando) i kujtoj mirë ato ditë: entuziazmin e dy delegacioneve për punën e rëndësishme të kryer; shpresën e komunitetit shqiptar në Itali, i cili me mobilizimin e tij i kishte nxitur firmëtarët Geri Ballo dhe Giovanni Lattanzi ta çonin atë betejë për të drejtat e tyre në pallatin e politikës.

Pas kësaj, çfarë ndodhi? Ajo që ndodhi ishte se qeveria “Draghi” ra dhe dy qeveritë nuk mundën të nënshkruanin me anë të ministrave kompetentë për atë tekst, i cili tashmë ishte nënshkruar nga delegacionet negociuese që ata vetë kishin caktuar. Ishte një hap thjesht formal, por që nuk mund të realizohej. Më pas erdhi qeveria “Meloni” dhe pritej që ai akt formal të bëhej menjëherë, për të mos shpërdoruar fondet tashmë të akorduara duke filluar nga 1 janari 2023. Por asgjë nuk ndodhi. Ndonjë burokrat e mban marrëveshjen në sirtar me arsye “lesh dhie”. Sepse në fakt, asnjë arsye teknike nuk e pengon vendosjen formale të nënshkrimeve. Teksti i marrëveshjes është i njëjti mbi të cilin bazohet raporti teknik i ligjit të buxhetit tashmë i vulosur nga Kontabiliteti i Përgjithshëm Shtetëror. Teksti u aprovua edhe nga përfaqësuesit e të gjitha ministrive.

Me pak fjalë: injorancë e pastër ose abuzim me pushtetin burokratik. Por kur burokratët sillen kështu, fajin e kanë gjithmonë politikanët që nuk ndërhyjnë. Mjafton vetëm një telefonatë. Një telefonata nga një ministër italian që duhet t’u thotë vartësve: “Nxirreni atë tekst ose jeni të gjithë të pushuar”. Mund të kishte një telefonatë të qeverisë shqiptare që i thotë asaj italiane: “Pse bëtë të zhdukej një tekst dypalësh i dakordësuar dhe i financuar tashmë? A duhet të tërheqim ambasadorin tonë nga Roma?” Por telefonat heshtin.

Pas firmave të marrëveshjes Itali – Shqipëri për pensionet kishte shumë shpirt dhe shumë mundim. Vuajtjet e atyre që kanë punuar me vite, duke dhënë kontribut në rritjen e një vendi që nuk ishte i tyre dhe që nuk e shohin atë sakrificë të njihet me pensionin që u takon. Është pasioni i komunitetit shqiptar në Itali. Ekspertiza e teknikëve që në vend që të ngadalësonin procesin përveshën mëngët për të zgjidhur problemet, duke identifikuar burimet, të drejtat dhe procesin e negociatave në mënyrë inovative dhe mes 1 mijë pengesash. Prapa firmave të marrëveshjes mes Melonit dhe Ramës, gjithsesi, bie era e yndyrës së televizionit live, parullave me bërtitje të teleshopingut, tallja e atyre që nuk kanë mjete për të ndryshuar kanalin. Duke e bërë edhe më të papranueshëm bojkotin e marrëveshjes tjetër, asaj të pensioneve. Turp.

Fatkeqësisht ajo është paguar nga një mori njerëzish, shqiptarë dhe italianë, të cilët kanë hedhur kontribute që nuk korrespondojnë për asnjë pension. Le të shpresojmë që dikush do të fillojë ta ndjejë pak atë turp dhe të vendosë të bëjë një telefonatë për ta nxjerrë atë tekst nga sirtari dhe ta nënshkruajë.
Arti është i bukur, edhe kabareja. Por na ktheni politikën. Nënshkruani marrëveshjen, atë të duhurën.

PS: Për të interesuarit, në versionin online të këtij shkrimi, publikojmë tekstin e kundërfirmosur të marrëveshjes; teksti i ligjit të buxhetit mund të gjendet lehtësisht në faqen e internetit të Fletores Zyrtare. Asnjëherë mos flisni (ose shkruani) për asgjë pa kontrolluar burimin.

©Shkruar nga Tommaso Nannicini, ish-senator italian, zv.Sekretar i Përgjithshëm i qeverisë së Matteo Renzi. Shkrimi i botuar në “Il Manifesto, përshtati në shqip LAPSI.al



8 Comments

  1. Gjuha shqipe eshte gjuha me e re qe shkruhet ne Europe(rreth 100 vjet) .

    Tani eshte rradha e talljes se sumes me ..ke…?

  2. Po ça marëveshje për pensionet. Me vërtetë i besoni akoma Ramë mashtruesit që i mban shqiptarët gjithmonë me gënjeshtra si e si ti marë votën. Dhe shqiptarët si gjithmonë i besojnë nënës parti(PS) dhe kumandarit Rama!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *