• |
ide | kryesore

Shembet Tirana, Mihana trondit Ahmatajn: protesta për penallti e dy gola të anuluar bardhebluve

F1, Sport
Mihana



Fitore me një goditje në portë: Erzeni mposhti 1-0 Tiranën, por në fakt golat mund të ishin dy, sepse edhe goditja e Kahrimanovic ishte po aq e rrezikshme. Sidoqoftë, Tirana rrëzohet në javën e 14 të Superiores, pas katër ndeshjesh pa humbje. Vendosi Mihana që ktheu shijakasit te suksesi pas 5 ndeshjesh në të cilat fitorja kishte qenë një mirazh. Një ndeshje që nuk i shpëtoi polemikave, duke parë dy golat e anuluar Tiranës e pretendimet për penallti.

Bardheblutë impaktin me ndeshjen e patën asfiksues. Hasani u ndal nga shtylla që në minutën e 3′, duke dëshmuar qëllimet e kryeqytetasve për të bërë rezultat. 5 minuta më vonë Haxhiu provoi nga brenda zonës, duke detyruar portierin Hasanbelli, të bënte ndërhyrjen e parë shpëtimtare nga të shumtat. Tirana ishte padrone e lojës, me Erzenin gjithnjë në pritje, por gjërat u komplikuan papritur në minutën e 35’, kur në zhvillimet e një goditje këndi, Mihana kërceu mbi të tjerët dhe goditi me kokë duke e çuar topin në rrjetë për 1-0.

GOLAT E ANULUAR

Tirana humbi Hasanin, në pushim, i zëvendësuar nga Latifi. Golashënuesi vuajti ndërhyrjen e Migone në minutën e 20’ e për Ahmataj ishte mungesa që nuk i duhej. Presioni i bardhebluve për të ndryshuar rezultatin ishte i madh, por dy herë goli iu anullua: në minutën e 50′ përplasja e Latifit me portierin u konsiderua faull, duke e bërë të pavlefshëm golin e Abazaj. Në rastin e dytë, Najdovski shënoi me një goditje me kokë, por pas kontrollit në VAR u vlerësua një pozicion jashtë loje, në minutën e 71’.

Lexo më tej: Në “Kukës Arena”, fusha e paluajtshme: kushtet e rënduara atmosferike, spostojnë takimin në Tiranë

PRETENDIMET PËR PENALLTI

Në minutën e 63′ Tirana pati pretendimin e parë për penallti. Abazaj provoi me një goditje në zonë, të ndalur nga Sadiki. Bardheblutë protestuan për penallti, por pas konsultimit me VAR, arbitri vazhdoi lojën. Edhe në shtesë, në të 93′ Patrik pretendoi penalltinë, sërish në ndërhyrjen e Sadikit. Edhe këtë herë protesta të kota të Tiranës, sepse loja vazhdoi. Tentativat e fundit të Tiranës, me Përgjonin e Najdovskin nuk mundën ti jepnin Tiranës as një pikë ngushëlluese, të paktën sa për të ruajtur serinë pozitive.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *