• |
ide | kryesore

Kosovë, zjarrfikësit në protestë për të kërkuar kushte më të mira

Arkiva, Lajme, Të fundit



Duke kërkuar kushte më të mira të punës dhe pagesë për rrezikshmërinë në punë, Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka protestuar të enjten në Prishtinë.

Zjarrfikësit kanë marshuar drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, të cilën e kanë ftuar të angazhohet në përmirësimin e kushteve të punës së tyre,

Protesta e zjarrfikësve është zhvilluar në kohën kur brenda Kuvendit të Kosovës shqyrtohej projektligji për buxhetin.

“Të ndahet një buxhet, mos të kemi problem çdo vit”, tha kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, duke shtuar se nuk pajtohen me vendimin e Qeverisë për t’i lënë zjarrfikësit jashtë shtesave për rrezikshmëri.

Ai ka kërkuar edhe rritjen e numrit të zjarrfikësve, ndërsa ka theksuar se protestat do të vazhdojnë nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre. Një muaj më parë, pasi Qeveria e Kosovës miratoi shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës, reaguan zjarrfikësit, duke e quajtur vendimin si selektiv.

Ata parashtruan kërkesat e tyre për fillim të kompensimit të rrezikshmërisë në punë, sigurime shëndetësore, rritje të numrit të zjarrfikësve, kontrolle sistematike, kompensimet për punën jashtë orarit dhe për festa, sigurim të shujtës si dhe sigurim të pajisjeve të punës.

Në Kosovë janë rreth 800 zjarrfikës.

Në bazë të rregullores për strukturën organizative të njësive profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit, për çdo 1.500 banorë nevojitet së paku një zjarrfikës.

Në bazë të kësaj llogaritjeje, Kosova duhet të ketë rreth 1.200 zjarrfikës.

Zjarrfikësit nuk kanë sigurime shëndetësore dhe paga e tyre bazë është 520 euro./REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *