• |
ide | kryesore

GJKKO nuk i dha leje Belerit të betohet/ Rama komenton vendimin

Arkiva, Lajme, Të fundit
Rama



Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me vendimin e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për mosdhënien e lejes për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Fillimisht kreu i qeverisë thotë se mosdhënia e lejes për betim nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është një qëndrim korrekt.

Më tej thekson se fakti që Beleri mbetet kryetar i zgjedhur i Himarës deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë përcakton mundësinë për t’u betuar apo jo, është shumë i kuptueshëm sipas tij.

Sipas Ramës, vendimi i GJKKO-së është një konfirmim se “Beleri” është çështje e drejtësisë dhe jo e politikës apo e organeve të qeverisjes vendore.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama

Nga leximi i vendimit të arsyetuar të GJKKO mbi mosdhënien e lejes për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, shoh të udhës të nënvizoj publikisht sa më poshtë:

1. Mosdhënia e lejes për betim në kushtet e paraburgimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton përfundimisht një qëndrim korrekt ligjor, ashtu sikundër edhe refuzimi i gjykatës speciale ndaj kërkesës është qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.

2. Fakti që kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.

3. Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës.

Si përfundim, ky vendim i arsyetuar i GJKKO është një konfirmim i padiskutueshëm ligjor i “çështjes Beleri” si një çështje e drejtësisë, assesi e politikës apo kurrësesi e organeve të qeverisë qendrore. Po ashtu arsyetimi i këtij vendimi krijon një premisë pozitive për adresimin e ngërçit të lartpërmendur.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *