• |
ide | kryesore

Erzeni, ndeshja e fundit e Abilaliajt: Shehi trajneri i ri i Partizanit, prezantimi javën e ardhshme

Sport
Shehi



Orges Shehi është trajneri i ri i Partizanit dhe pritja tashmë ka marrë fund. Nuk ka ende firmë, por akordi është total, mungojnë pak detaje, që duhen limuar në ditët e ardhshme. Takimi i bërë të premten me presidentin Demi dhe Drejtorin Sportiv Abilaliaj ka shërbyer vetëm për të qartësuar kohët e përmbushjes së operacionit. Edhe në ndeshjen e fundit të vitit, atë kundër Erzenit, në pankinë do të jetë ende Arbër Abilaliaj. E pastaj javën e ardhshme do të bëhet prezantimi i Shehit te Partizani.

Tekniku do të udhëtojë me të kuqtë në 2 janar në fazën përgatitore, që dëshmon edhe kohët në të cilën do të jetë gjithçka e konkluduar. Objektivi është i deklaruar dhe i patjetërsueshëm titulli kampion, ndërsa për lëvizjet në merkato nuk ka ende një konsultim mes palëve. 46 vjeçari vjen te Partizani, pas aventurës te Tirana, që e bëri atë trajnerin më jetëgjatë të dy dekadave të fundit të bardhebluve, me të cilët fitoi titullin kampion dhe nënkampion në dy sezonet e fundit. Pas largimit konfliktual me Tiranën, Shehi u përball me një betejë ligjore me ish-klubin, kohë gjatë të cilës Partizani e priti, si për të treguar vlerësimin për një investim që e konsideronte të rëndësishëm.

Lexo më tej: Tirana e hoqi si të tepërt: ‘i papuni’ Orges Shehi shpallet “Trajneri i vitit 2023”

Shehi kthehet kështu në shtëpi, duke qenë se si lojtar, ka mbrojtur portën e të kuqve për 4 sezone nga 2005 në 2009. Kontrata do të jetë tre vjeçare dhe kaq mjafton për të kuptuar se Partizani beson te Shehi një projekt afatgjatë. Në fund të fundit, për një trajner dy herë radhazi i shpallur më i miri i vitit, ja vlen pritja…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *