• |
ide | kryesore

Kinë/ Dëme të mëdha financiare pas tërmetit që la 148 viktima

Lajme, Planet



Tërmeti i fortë që goditi pjesën veriperëndimore të Kinës këtë javë, dhe la 148 të vdekur, ka shkaktuar humbje ekonomike prej dhjetëra miliona dollarësh në industrinë bujqësore dhe të peshkimit, njoftuan mediat shtetërore të shtunën.

Zyrtarët në rajonin Gansu zhvilluan vlerësime paraprake që tregojnë se industritë bujqësore dhe të peshkimit të provincës kanë pësuar dëme me vlerë rreth 74.6 milionë dollarë, njoftoi televizioni shtetëror CCTV. Autoritetet po shqyrtojnë përdorimin sa më mirë të fondeve të ndihmës që sektori bujqësor të rifillojë prodhimin sa më shpejt që të jetë e mundur, thuhet në raport.

Tërmeti me magnitudë 6.2 ballë goditi mbrëmjen e së hënës një rajon malor mes provincave Gansu dhe Qinghai dhe rreth 1300 kilometra në jugperëndim të Pekinit, kryeqytetit kinez. Kanali shtetëror CCTV tha se 117 persona humbën jetën në Gansu dhe 31 të tjerë në rajonin fqinj Qinghai, ndërsa tre persona rezultojnë ende të zhdukur.

Afro 1,000 persona u plagosën dhe më shumë se 14,000 shtëpi u shkatërruan. Shumica e tërmeteve në Kinë ndodhin në pjesën perëndimore të vendit, përfshirë provincat Gansu, Qinghai, Sichuan dhe Yunnan, si dhe rajonin Xinjiang.

Tërmeti i fundit ishte më vdekjeprurësi në vend në nëntë vitet e fundit./ VOA



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *