• |
ide | kryesore

U dhunua pasi nderoi Adem Jasharin/ Serbia: Politikani i opozitës nuk është torturuar

Arkiva, Lajme, Të fundit



Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA) mohoi akuzat se lideri i subjektit opozitar, Partia Republikane, Nikolla Sandulloviq, ishte subjekt i torturës, duke pretenduar se nuk ka pasur shkelje të të drejtave dhe lirive dhe as ushtrim të forcës së paligjshme fizike ndaj Sandulloviqit.

Më herët, Zyra e Prokurorit në Nish konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Sandulloviq ndodhet në paraburgim që nga java e kaluar, nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.

Në deklaratën e lëshuar nga BIA më 10 janar u tha se ata ndërmorën aktivitete “me qëllim të sqarimit të aktiviteteve të kaluara të paligjshme të Sandulloviqit, të cilat prokurori kompetent i cilësoi si vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.

“Duke thënë gënjeshtra për sjelljet e supozuara të paligjshme të anëtarëve të BIA-s, Sandulloviq dhe promovuesit e tjerë e të ashtuquajturës Kosovë, duan të përhapin dezinformata dhe të shqetësojnë opinionin vendës dhe të huaj, të dëmtojnë reputacionin e BIA-s dhe të destabilizojnë situatën e sigurisë së Republikës së Serbisë”, u tha në deklaratë.

Lexo më tej: Kurti: I shqetësuar nga raportimet se politikani u paralizua pasi u rrah nga shërbimi sekret serb 

Më 2 janar, Sandulloviq publikoi një video në X – që më herët njihej si Twitter – ku ai shfaqej në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz duke vendosur kurorë me lule në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998, kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, një nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Një ditë pas publikimit të videos në rrjetin X, avokati Çedomir Stojkoviq bëri të ditur se Sandulloviqi është arrestuar më 3 janar dhe se familja e tij nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

Institucionet e Bashkimit Evropian konfirmuan më 9 janar se po monitorojnë situatën dhe informacionet lidhur me arrestimin e Sandulloviqit.

Sandulloviq është president i Partisë Republikane që u themelua më 2015, por që nuk e ka kaluar pragun zgjedhor për t’u futur në Parlamentin serb.

Ai ka një biografi kundërthënëse, ku përfshihet edhe plagosja e tij nga shpërthimi i një makine 13 vjet më parë, dhe arrestimi i tij për “përhapje paniku” më 2020 gjatë pandemisë së koronavirusit./ REL



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *