• |
ide | kryesore

Gazetarja e TCH nxjerr detajet/ Si xhelozia e Jetnor Zhabolit u kthye në paranojë

Arkiva, Lajme, Të fundit
zhaboli



Gazetarja e TCH, Anila Hoxha që mbulon ngjarjet e aktualitetit ka zbuluar detaje të reja në lidhje me arrestimin e 35-vjeçarit Jetnor Zhaboli, i cili mbante të mbyllur në shtëpi, nënën e tij, gruan dhe dy fëmijët e mitur duke iu vendosur kamera kudo në banesë. Në një shkrim në rrjetet sociale ajo thotë 35-vjeçari nga xheloz, u bë paranojak dhe më pas filloi të ushtronte dhunë tek gruaja e tij. Sipas saj, Jetnor Zhaboli la edhe punën për shkak se kishte frikë nga diçka dhe ‘izoloi’ familjen nga bota e jashtme.

Shkrimi i gazetares Anila Hoxha

Ata u njohën në auditorët e Fakultetit Ekonomik. Ai si dhe ajo spikatën me rezultatet e larta. Lidhën kurorë 12 vite me parë. Sollën në jetë dy fëmijë. Gjithçka dukej perfekte së jashtmi, të pandashëm dhe të shoqëruar ngado me njëri-tjetrin. Dukeshin në harmoni! Deri dje, kur “maskat” ranë dhe dera u hap.
Ajo nuk kishte telefon. As rrjete sociale. Ai vetëm Instagram.

“Një dashuri e fortë ajo mes tyre” – shpjegon një nga miqtë e çiftit, jo shumë orë mbasi Jetnor Zh.,u arrestua për dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes të mbetur në tentativë të njeriut të zemrës. Policia konfirmon në mënyrën e saj, se e reja qëndroi gjatë në heshtje dhe duke mohuar izolimin.

Ngjan e pabesueshme – gati ulëret – mikesha e gruas 35-vjeçare. Të befasuarit nuk pranojnë dot versionin hetimor që tregon se si Jetnor Zh., mbylli për gati një vit në banesë bashkëshorten, dy fëmijët dhe nënën. Se si iu vendosi kamera ngado, në korridor, dhomën e ngrënies dhe në dhomën e gjumit. Si instaloi ne korridor bllokuesin e valëve te telefonit. Mbylli prizat.

“E bej se na përgjojnë, duan tna vrasin. E di unë që po” – shprehej Jetnori. Por më tepër se sa një xhelozi, ajo nga çfarë vuante i riu ishin problemet e shëndetit mendor, të pa diagnostifikuara nga familja. Prindërit vinin shpesh, nga Krasta sepse e kishin kuptuar që djali kishte probleme. Në fillim qe xheloz. Pastaj u bë paranojak. Dhe ne fund i dhunshëm. Ja kështu – e shpjegojnë të njohurit e të dyve.

Por thyerja e 35-vjeçarit nisi një vit me parë. La punën. Punonte në një institucion tatimor. Sepse kishte frikë nga diçka. Nga diçka që ishte vetëm në kokën e tij. Me pas frikë nga përgjimet, frikë nga ata që duan të na bëjnë keq. Dhe u mbyllën. I mbylli.

Dilnin bashkë kur bënin pazar – shpjegon fqinja. Kishim dëgjuar që grindeshin. Po shton policia – kërkuam të kuptonim çfarë ndodhte aty, por gruaja nuk fliste. As nëna e tij që erdhi tre ditë më parë. Derisa fëmija 9 vjeç foli. Fëmija tregoi se nëna qante. Se e ëma i përgjërohej që t’i zbonte armiqtë nga koka. Ata grindeshin – pëshpëriti e vogla.

Të tjerat ishin prova në strehën e tyre. Kamera. Kontrolle gjithandej. Bllokues valësh. Letra në formatin A4, që vajza dikur gazmore, i shkruante mes lotësh. Aty në shtëpinë e këqyrur me kamera dhe e mbyllur në mes të katër mureve. Rrëfehej e zbraste shpirtin e lodhur. Duke bere monolog mbi letër.

“Çfarë ka ndodhur me ty?” – pyeste e reja që shkruante trishtimin e saj për ndryshimin e katërciptë të njeriut që deshi. Nuk kishte përgjigje për të, familjes së saj po u ngushtoheshin horizontet si në një kuti konserve. Muret po i gllabëronin. Ndaj i kish thënë disa herë familjes “po me ndodhi gjë, flisni mirë tek fëmijët për mua”… Ishte paralajmërim dhe thirrje për ndihmë!

Kur policia trokiti në derën e tyre, nëna e tij u përgjigj – e ka çelësin djali. Ai u kthye në banesë , i qetë dhe i palexueshëm, mbase i bindur se s’kish bërë asgjë të ndaluar. Për fat të gjithë jetojnë. Ai përfundoi ne burg, sepse nuk e kuptuan që kishte nevojë për një mjek. 

/LAPSI.al

LEXO EDHE: Problemet e shëndetit mendor/ Gruaja dhe fëmijët të ngujuar nga ekonomisti në Tiranë



2 Comments

  1. Ore pse e jepni foton e personit gjith andej, ai nuk eshte person me rrezik per publikun, eshte dicka personale, ne fund ku I dihet si del versioni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *